Përfundimi i muajit tetor dhe fillimi i nëntorit në Komunën e Podujevës është karakterizuar me incidente e raste të ndryshme, shkruan Llapi.info
Këto ndodhi janë bërë të ditur në raportet ditore të Policisë së Kosovës. Kësisoj, të hënën në Podujevë një i dyshuar është arrestuar pasi që i njëjti ka therur me thikë një person. Sipas PK-së, viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht duke e goditur me thikë viktimën mashkull K-Shqiptar. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, ka bërë të ditur Policia.
Në po këtë ditë, një rast dhunë në familje është raportuar në këtë Komunë. Sipas PK-së, një grua kishte raportuar se është sulmuar nga bashkëshorti i saj. Viktima në këtë rast ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Mbrëmjen e së martës, në fshatin Brecë tre të dyshuar kanë penguar dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Sipas Policisë, njëri është arrestuar, kurse dy të tjerë janë në arrati.
“Fshati Brecë, Podujevë 30.10.2018 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që i njëjti së bashku me dy të dyshuar të tjerë meshkuj K/Shqiptarë, të cilët janë në arrati, kishte penguar dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë viktimat meshkuj K/Shqiptarë. Me urdhër të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar, kurse rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhej në njoftim.
Kurse, të premten dhe të shtunën dy mjete të pashpërthyera janë gjetur në fshatin Dumnicë.
Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 15:30, derisa njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësiti për deminim i FSK-së dhe KFOR-it kanë tërhequr mjetin e dyshuar nga vendi i ngjarjes.
Rasti i dytë ka ndodhur rreth orës 14:00 kur KFOR-i austriak ka bërë shpërthimin e një mjeti të dyshimtë. “Fsh. Dumnicë e Epërme, Podujevë 03.11.2018-14:00. Është raportuar se në ara nga një mashkull K/Shqiptar ishte vërejte një mjet i dyshuar shpërthyes. Mjeti i dyshuar është siguruar nga njësiti i policisë, ndërsa nga njësiti i KFOR-it austriak mjeti i dyshuar është shpërthyer në vendin e ngjarjes në mënyrë të sigurt pa ndonjë pasojë”, ka njoftuar Policia.
Mëngjesin e së shtunës, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person i kërkuar është arrestuar në fshatin Pakashticë. Arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë-dega në Podujevë. Sipas PK-së, i njëjti është dërguar për vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës./Llapi.info






