Një përleshje fizike mes nxënësve të mitur ka ndodhur sot rreth orës 13:00 përballë Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, raporton Llapi.info

Si rezultat i rrahjes, një person është lënduar, ndërsa deri më tani dy persona janë arrestuar. Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe Antigona Çitaku-Dibrani, rreshtere në Stacionin Policor në Podujevë.

“Rrahja mes disa të miturve nxënës ka ndodhur në orën 12:45 përballë shkollës ekonomike në rrugën “Zahir Pajaziti”. Në polici janë shoqëruar 2 persona të cilët janë të mitur. Policia ka identifikuar edhe persona tjerë të përfshirë në këtë rrahje. Nga ky rast një person është lënduar dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, por që nuk ka lëndime të rënda”, ka thënë Çitaku-Dibrani.

Lëndimin e një personi e ka konfirmuar edhe Emergjenca në Podujevë, nga atje për Llapi.info kanë thënë se i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në Prishtinë.

“Nga rasti një person ka mbetur i lënduar, derisa është dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor në QKUK në Prishtinë. I njëjti nuk kishte lëndime të rënda”, ka thënë mjeku kujdestar./Llapi.info