Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj të pandehurit G. K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale të vrasjes së rëndë. I njëjti dyshohet se fillimisht kishte vrarë dhe më pas kishte djegur trupin e vëllait të ardhur nga Zvicra.

Sipas Gjykatës, i pandehuri G. K., më 11 shkurt 2020, rreth orës 11:00, në fshatin Bërnjak të Rahovecit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje ka privuar nga jeta vëllanë e tij B. K.

“Në ditën kritike i pandehuri shkon në shtëpinë e të ndjerit dhe pasi futet nga dera e kuzhinës gjuan me pistolete tre-katër (3-4) herë në drejtim të të ndjerit, i cili në ato momente gjendej i shtrirë në divan, duke biseduar në telefon. Pas kësaj ngjarjeje i pandehuri G. K. largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të shtëpisë së tij, për tu rikthyer në vendin e krimit pas shtatë-tetë (7-8) orësh, dhe pasi merr trupin e pajetë duke e tërhequr zvarrë me batanije, e nxjerr në oborr prapa shtëpisë, e mbulon me gjësende të ndryshme dhe i vë flakën. Me qëllim që të zhduk gjurmët, mbetjet dhe pjesë të kockave të të ndjerit i hedh jashtë shtëpisë në skaj të rrugës së lagjes”, thuhet në komunikatë.

Me këtë veprime, i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ai do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaj, i cili do të llogaritet nga data 09 prill 2020 dhe do të zgjasë deri më 09 maj 2020.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gëzim Pozhegu, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet në komunikatë.