Lokale - eSIMy

Një muaj paraburgim u është caktuar prindërve në Lipjan për keqtrajtimin e fëmijës së tyre 5-vjeçar.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, A.K. dhe V.P. dyshohet se kanë kryer veprat penale “Shkelje e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

Fëmija 5-vjeçar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve. Sipas njoftimit të djeshëm nga Klinika e Pediatrisë, ku ai po trajtohet, fëmija u pranua fillimisht në Emergjencën Qendrore me plagë të rënda të shoqëruara me ndryshime gangrenoze.

Në momentin e pranimit, gjendja e fëmijës ishte e rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.

Klinika e Pediatrisë ka bërë të ditur se 5-vjeçari, i hospitalizuar aktualisht në Kujdesin Intensiv Pediatrik, sot i është nënshtruar intervenimit të nevojshëm kirurgjik në nivel të shputave nga ekipet specialistike të Ortopedisë dhe Kirurgjisë Plastike.

Sipas njoftimit të SHSKUK-së, ndërhyrja ka përfunduar me sukses dhe gjatë procedurës gjendja e pacientit ka qenë stabile, njofton Dukagjini.

“Intervenimi sapo ka përfunduar dhe është realizuar sipas indikacioneve mjekësore. Gjatë procedurës kirurgjikale, gjendja e pacientit ka qenë stabile. Pas përfundimit të intervenimit, pacienti është transferuar në Kujdesin Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimin, mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e mëtejme postoperatore”, thuhet në njoftim.

Klinika ka bërë të ditur se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, informacioni i dhënë është i kufizuar dhe çdo përditësim i mëtejshëm do të bëhet vetëm përmes Zyrës për Informim pranë SHSKUK.