Podujeva, foto arkiv
Lokale - eSIMy

Muaji tetor në Komunën e Podujevës ka filluar me incidente të ndryshme, raporton Llapi.info

Kështu, mëngjesin e së hënës një person është arrestuar nga Policia në fshatin Lluzhan.

Sipas policisë, arrestimi i të dyshuarit është bërë pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 8 fishekë. I njëjti pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Po të njëjtën ditë sipas PK-së, në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ është arrestuar një person për kanosje.

“Rr. “ZahirPajaziti”, Podujevë 01.10.2018 – 15:08. Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje te mëhershme ka kanosur viktimën mashkull K-Shqiptar. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.

Kurse, të martën dy persona janë arrestuar në rrugën e qendrës të Podujevës, pasi që u është gjetur dhe konfiskuar një sasi e vogël e substancës së dyshuar narkotike marihuanë. Të njëjtit me vendim të prokurorit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Ditën e mërkurë në Podujevë një person i kërkuar nga Policia është arrestuar rreth orës 12:00 në rrugën ‘Zahir Pajaziti’. Sipas PK-së, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. I njëjti për vuajtje të dënimit është dërguar në burgun e Dubravës.

Mbrëmjen e së mërkurës një person në fshatin Gllamnik i ka dhënë fund jetës së tij duke u vetëvarur. Rastin e ka konfirmuar, Bekim Bislimi nga Zyra për Informim në Policinë e Podujevës.

“Gjatë ditës së djeshme rreth orës 21:00 kemi pranuar informatën për një incident në fshatin Gllamnik-Podujevë. Njësit relevante të stacionit policor Podujevë, gjithashtu edhe ekipi mjekësore/emergjenca kanë dalë në vendin e ngjarjes. Me të arritur në lokacion, kanë vërejtur një person i cili dyshohej se ishte pa shenja jete. Në ndërkohë ekipi mjekësor, ka konstatuar se personi ishte pa shenja jete. Viktima është i gjinisë mashkullore rreth moshës 30 vjeç”, ka thënë Bekim Bislimi.

Ndërsa, të enjten dhe të premten dy raste për dhunë në familje janë regjistruar në Podujevë. Në rastin e parë, sipas PK-së, i dyshuari pas një mosmarrëveshje ka sulmuar bashkëshorten e tij. Sipas PK-së, viktima si pasojë e lëndimeve ka pranuar tretman mjekësor dhe e njëjta është liruar në shtëpi. Ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar. Rasti shkon në procedurë të rregullt.

Rasti i dytë ka ndodhur rreth orës 19:30 ku sipas policisë, babai ka sulmuar fizikisht djalin dhe gruan e tij, ku si rezultat i dhunës së ushtruar djali ka pësuar lëndime trupore.

“I dyshuari K/Shqiptar pas një mosmarrëveshje i ka sulmuar dhe kanosur bashkëshorten dhe djalin e tij”, thuhet në raportin e policisë.

Ndërkaq, përgjatë vikendit në Podujevë sipas raporteve ditore të Policisë, nuk ka ndodhur ndonjë incident./Llapi.info