Lokale - eSIMy

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbresha Krasniqi ka shprehur qëndrimin e partisë së saj për dy seancat e thirrura për ditën e sotme.

Ajo tha para mediave se nuk kanë votë as për seancën e parë, por as për mandatarin për kryeministër, Glauk Konjufca.

“Nisma nuk do të marrë pjesë në seancën sot në orën 11:00 dhe arsyet pse Nisma nuk do të marrë pjesë janë tepër kuptimplote. Është seancë e thirrur jashtë rregullave ligjore, nuk i plotëson rregullat e punës së Kuvendit. Dhe që sigurisht që një gjë e tillë dhe një çështje kaq e rëndësishme siç është buxheti të bie ndesh edhe me rregulloren e punës edhe me ligjet në fuqi, Nisma nuk ka votë për këtë pjesë”, tha ajo.

Ajo para fillimit të seancës të thirrur për në orën 11:00, tha se Nisma i ka dhënë mundësi bashkëpunimi Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nëse dikush ose një subjekt politik shqiptar në Kosovë i ka dhënë mundësi të bashkëpunimit Lëvizjes Vetëvendosje për të pasur edhe Kuvendin e konstituuar edhe qeverinë, është i vetmi subjekt politik që quhet Nisma. Dhe nëse dikush ka bërë thirrje vazhdueshëm që të kemi unifikim edhe unitet e të ulemi bashkë dhe të bisedojmë për të bërë zgjidhje dhe për t’i dhënë Kosovës institucionet, është zotëri Limaj. Prandaj kjo nuk ka ndodhur, e si rezultat i mos kësaj ndodhje normalisht që Nisma nuk do të ketë votë dhe nuk do të merr pjesë as në seancën e orës 11:00, e po ashtu nuk do të ketë votë e nuk do të merr pjesë as në seancën e orës 14:00”, shtoi deputetja e Nismës Socialdemokrate.

Në seancën e orës 11:00 në rend dite janë themelimi i komisioneve parlamentare, shqyrtimi i buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare