Lokale - eSIMy

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) pritet ta shqyrtojë kërkesën për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike në katër komunat veriore kompaninë me pronësi serbe Elektrosever, me funksionim në Kosovë.

Kështu është bërë e ditur nga vetë ZRRE-ja me anë të një komunikate, ku ka futur në pikën e shtatë për rend dite.

“Ju njoftojmë se ditën e Premte, datë 24.06.2022, ora 13:00, do të mbahet seanca e nëntë (IX) e Bordit të ZRRE-së, sipas këtij rendi dite: 7) Shqyrtimi i kërkesës/aplikacionit për dhënie të licencës për Furnizim me Energji Elektrike për “Drustvo Elektrosever” D.O.O”, thuhet në komunikatë.

Kosova u pajtua paraprakisht që t’i japë kompanisë së shtetit serb, “Elektrosever” leje për të operuar në veri të vendit. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq e nënshkruan të martën dokumentin e implementimit të marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015 për energjinë, kur në krye të shtetit ishin Hashim Thaçi e Isa Mustafa.

Sipas udhërrëfyesit për të cilin Kosova dhe Serbia u dakorduan në Bruksel, kjo kompani parashihet ta nënshkruajë një marrëveshje tregtare me KEDS-in, përmes së cilës do t’i mundësohet t’i kryejë shërbimet e distribuimit (faturimin, inkasimin, mirëmbajtjen dhe kyçjen e konsumatorëve të rinj) në katër komunat me shumicë serbe në veri. Kjo, parashihet të ndodhë 10 ditë pas licencimit.