Në fshatin Batllavë të Podujevës, sot është vendosur gurthemeli për ndërtimin e çerdhes, raporton Llapi.info.

Në hapjen e këtyre punimeve mori pjesë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, drejtorë komunalë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Në një prononcim për gazetarë, e para e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se kapaciteti i kësaj çerdheje do të jetë për 60 fëmijë.

“Kjo çerdhe pritet të përfundojë brenda dy vitesh, e cila do të ketë hapësirë për 60 fëmijë. Me finalizimin e çerdheve po rrisim gjithnjë e më shumë mundësitë për përfshirjën e fëmijëve në edukimin e hershëm”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi,  ka thënë se vlera e këtij projekti është rreth 450 mijë euro.

“Është çerdhja e pestë publike për  tri vite, të cilat po i bëjmë bashkë me financimin e Ministrisë së Arsimit. Është një çerdhe me sipërfaqe rreth 750 metra katrorë. Vlera e projektit është diku 450 mijë euro. Shpresojmë që brenda dy vitesh fëmijët e këtij lokaliteti ta kenë objektin e ri”, ka thënë Bulliqi./Llapi.info