Kanë filluar të largohen bllokadat nga pikat kufitare në Jarinjë ku ishin të vendosura që nga mbrëmja e së dielës, nga serbët lokalë të komunave veriore serbe.

Tre kamionë deri më tash janë larguar nga rruga që çon për në pikën kufitare në Jarinjë.

Ky veprim vjen pasi Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që të shtyhen masat për reciprocitet me Serbinë për çështjen e targave dhe letërnjoftimeve.

Kërkesën për shtyrjen e vendimit e ka bërë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Pas konferencës së ambasadorit amerikan, Qeveria e Kosovës, ka bërë të ditur se i ka pezulluar vendimet për reciprocitet për një muaj (1 shtator 2022), me kusht që do të hiqen barrikadat e vendosura në pikat kufitare.

Gjatë ditës së diel, Policia e Kosovës ka njoftuar se janë sulmuar me armë zjarri nga një grup i serbëve lokalë, por sipas tyre nuk ka pasur të lënduar.