Lokale - eSIMy

Mëngjesin e sotëm vdiq aktori i njohur Adem Mikullovci.

Politikanë, artistë e familjarë kanë ngushëlluar për vdekjen e tij.

“Sot qenka ndarë nga jeta aktori i njohur Adem Mikullovci. Edhe si aktor, edhe si delegat që votoi Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik dhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, por edhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai gjithnjë ishte në shërbim të interesit publik dhe vendit tonë. Kontributi i tij në art, kulturë dhe politikë do të kujtohet përgjithmonë. Ngushëllime familjes Mikullovci dhe të gjithë artdashësve, miqve dhe të afërmve të tij!”, ngushëlloi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Një telegram ngushëllimi e ka nisur edhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi.

“E nderuar familja Mikullovci, Me pikëllim dhe me mërzi të madhe e mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, krenarisë tonë artistike, aktorit, skenaristit e regjisorit tonë të madh, bacës Adem. Baca Adem më nuk do të jetë i pranishëm me trupin e tij, por do të jetë i paharruar në mesin tonë me shpirtin e tij të madh fisnik e artistik dhe me trashëgiminë e pashterur artistike që ka lënë pas”, shkruan Dumoshi.

Thotë se Mikullovci do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e tij të pamohueshme e të pashlyeshme që ka lënë pas, si një rrugë të shtruar fort për brezat që vijnë.

“Numri i roleve dhe veprave artistike e të papërsëritshme të bacës Adem do të mbesin xhevahire të çmuara dhe do të jenë gjurmë të skalitura e të pashlyera në botën e artit e të aktrimit. Me praninë e tij, ai e ka pasuruar dhe e ka bërë madhështore çdo vepër artistike dhe i ka dhënë peshë roleve që i ka marrë mbi supe t’u japë shpirt. Me korpusin e roleve të tij në teatër, film e televizion, baca Adem ka tejkaluar çdo barrierë dhe pa dyshim ai konsiderohet krenaria dhe një prej ikonave të artit shqiptar. Adem Mikullovci ka qenë dhe do të mbetet shembull dhe pikë orientuese në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg, i cili me angazhimin e tij ka qenë edhe frymëzim jo vetëm për kolegët e tij të gjeneratës dhe për aktorët e rinj, por edhe një frymëzim edhe për popullin e Kosovës në kohët më të vështira nëpër të cilat ka kaluar shteti i Kosovës”, ngushëllon Dumoshi.

Ajo thotë se “Ndarja e bacës Adem nuk është humbje e rëndë dhe e dhimbshme vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por ikja e tij pa dyshim se lë zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës”.

“Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt veprën dhe kontributin e tij të çmuar e të paçmim që ka dhënë për kulturën e Kosovës dhe atë mbarëshqiptare. Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Adem Mikullovcit”, përfundon telegrami i ngushëllimit nga Dumoshi.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se “Me pikëllim mora lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të spikatur, deputetit të Kuvendit të Kosovës që shpalli Deklaratën e 2 korrikut, mikut tim Adem Mikullovci”.

“Baca Adem përmes artit, arriti të mbaj gjallë ndjenjën kombëtare në rrethana të vështira për shqiptarët. Duke ndarë dhembjen për këtë humbje, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes Lumnijes, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën. U prehtë në paqe!”, shkroi Haradinaj.