Lokale - eSIMy

Futbolli kosovar dhe më gjerë humbi figurën më të madhe këtë vit – legjendën dhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri. Por gjatë këtij viti Kosova ka arritur edhe sukseset më të mëdha.

Nisi në mars me fitoren e Shpresave (U21) kundër Azerbajxhanit (2:0) që u pasua me disa ndeshje të mëdha të kësaj gjenerate dhe u mbyll javën e shkuar me kualifikimin historik të përfaqësueses “A” në plejofin e Ligës D të Ligës së Kombeve. Me triumf në grupin e saj, Kosova ka siguruar mundësinë të luftojë për pjesëmarrje në Evropian si dhe është ngritur në Ligën C të Ligës së Kombeve për edicionin e radhës.

“2018-a është vit i futbollit të Kosovës marrë për bazë sukseset e arritura të klubeve, përfaqësueseve dhe investimeve në infrastrukturë. Nga gjithë këto suksese, humbja më e madhe që ka pasur Kosova këtë vit është vdekja e presidentit Fadil Vokrri”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

E para që nisi me suksese këtë vit në garat ndërkombëtare ishte përfaqësuesja U-21. Fitoi ndeshjen e 22 marsit në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë 2:0. Në “Adem Jashari” u ndal edhe kampionia e Evropës për këtë grupmoshë, Gjermania (0:0) pesë ditë më vonë.