Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, së bashku me drejtorin e Policisë, Reshat Qalajn kanë vizituar sot Komunën e Podujevës, të cilët janë pritur nga nënkryetari, Nexhmi Rudari. Në këtë takim është biseduar për menaxhimin e pandemisë COVID-19, njofton Llapi.info.
Pas takimit të mbajtur në objektin e Komunës, Veliu dhe Qalaj kanë vizituar edhe Stacionin e Policisë në Podujevë. Nga atje, i pari i MPB-së, Agim Veliu ka thënë se Komunat janë akterët kyç për menaxhimin e situatave të tilla, në harmoni me shtabet emergjente dhe policinë. Veliu ka deklaruar se ky stacion do të ngritët nga kategoria B në kategorinë A.
“Këtu në Stacionin e Policisë e diskutuam menaxhimin e pandemisë dhe roli i policisë si mbështetje e menaxhimit të pandemisë, sepse policia e ka luajtur një rol kyç në këtë proces për të cilët i falënderoj. Prej nesër, stacioni i policisë në Podujevë do të ngritët nga shkalla B në shkallën A”, tha Veliu.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se pas ngritjes në shkallën A, stacioni policor në këtë komunë do të ketë më shumë personel, për çka, sipas tij, do të rritet më shumë siguria. Megjithatë, Qalaj ka theksuar se stacioni do të mbetet në kuadër të Drejtorisë rajonale të Prishtinës.
“Ne si drejtori e Policisë e kemi parë se për shkak të specifikave, angazhimit dhe për shkak se Podujeva ka territor të madh kemi vendosur që stacionin policor ta ngrisim në nivelin A, e që do të thotë se në të ardhmen do të ketë më shumë personel dhe hierarkinë konform strukturës që ka Policia e Kosovës. Kategoria A kërkon më shumë mbështetje logjistike dhe besoj që së bashku me komandantin dhe stafin policor do të kemi një situatë më të mirë të sigurisë. Stacioni i Policisë në Podujevë do të mbështetet nga drejtoria rajonale e Prishtinës, në mënyrë që transformimin ta bëjmë sa më të lehtë”, ka thënë Qalaj.
Pas qëndrimit në këtë stacion, Veliu dhe Qalaj do të zhvillojnë vizitë edhe në pikë-kalimin kufitar në Merdare./Llapi.info