Lokale - eSIMy

Llapi.info ka raportuar sot për të shtënat me armë që u dëgjuan sot rreth orës 16:00 në qendër të Podujevës, ku mbetën të plagosur dy persona, raporton Llapi.info.

Të njëjtit janë dërguar në QKUK, kurse njëri është kalimtar i rastit. Ky i fundit ka pësuar lëndime më të rënda.

Burime të Llapi.info kanë mësuar se të dy familjet kishin qenë në “probleme” edhe më parë, pasi vitin e kaluar kishte mbetur një tjetër person i plagosur (nga njëra familje) me armë në fshatin Gllamnik.

Jo zyrtarisht portali mëson se ngjarja ka ndodhur pasi të dy palët kishin dalë nga një seancë gjyqësore në Gjykatën e Podujevës.

Rastin e sotit për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.

“Sot rreth orës 16:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Nuhi Gashi” në Podujevë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit. Ndërkohë që të plagosuri janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia ka vazhduar me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në rast”, ka shtuar ai.

Tutje Llapi.info ka mësuar se edhe një grua shtatzënë ka pranuar tretman mjekësor, pasi e njëjta është frikësuar nga kjo ngjarje./Llapi.info