Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale.

Shantazhet dhe kërcënimet me të cilat përballen ato përmes rrjeteve sociale bëhen sebep që të kërkojnë mbrojtje në Polici.

Të dyshuarit provojnë t’i detyrojnë ato t’u kryejnë favore të ndryshme pa dëshirën e tyre, në këmbim të mospublikimit të pamjeve që do cenonin integritetin dhe privatësinë e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

E në shumë prej këtyre rasteve viktima janë edhe vajzat e mitura, të cilat bien pre e ngacmimeve, shantazheve e kërcënimeve.

Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur në Podujevë, ku një person dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur.

Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se 18-vjeçari ka ushtruar presion ndaj viktimës që të dalë me të, në të kundërtën do i publikonte disa fotografi me përmbajtje eksplicite e të cilat do t’i paraqiste kinse është e mitura.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin që dyshohet të ketë ndodhur një javë më parë, por që u denoncua para dy ditësh.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim i riu të hetohet në liri për veprën penale ‘Ngacmim seksual’.