Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, ka komentuar reagimet e fundit të Listës Serbe për atë se duan që ta rrëzojnë nga posti kryeministrin Albin Kurti.

Kryeziu tha se kjo është kërkesë e Listës Serbe, por kësaj kërkese i kanë dhënë përgjigje qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e fundit, ku siç tha ajo, ata [qytetarët] e kanë përkrahur pikërisht Albin Kurtin me rreth 51 për qind të votave.

“Kjo edhe mund të jetë dëshirë e Listës Serbe, por sa do të jetë e realizueshme, mbetet të shihet në vazhdim. Pasi, konsideroj se qeveria nuk varet nga Lista Serbe nëse do të shkarkohet ose jo një kryeministër i Kosovës”, është shprehur Kryeziu në “Edicionin Special” në Klan Kosova.

Numri i votave të marra nga VV në zgjedhjet e fundit, për Kryeziun është goditja më e madhe që i është bërë Listës Serbe, teksa shtoi se ata janë të fundit që mund të dalin e të shprehin dëshira të tilla, sepse sipas saj, ata s’janë faktor.

Lista Serbe në krye me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, gjatë ditës së djeshme ka thënë se e kanë për qëllim që ta rrëzojnë Qeverinë Kurti me arsyetimin se ajo punon kundër interesave të serbëve në Kosovë.

“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, i cili është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha Lista Serbe përmes një komunikate për shtyp.