Andy Ruiz, right, punches Anthony Joshua during the seventh round of a heavyweight championship boxing match Saturday, June 1, 2019, in New York. Ruiz won in the seventh round. (AP Photo/Frank Franklin II)

Bota shikoi në befasi, ndërsa Anthony Joshua u rrah keq nga një boksier trashaluq i panjohur i quajtur Andy Ruiz Jr. Debutimi në SHBA i britanikut Joshua, që ishte kampion bote në peshën e rëndë, doli nga kontrolli pas 22 minutash e gjysmë në meçin e zhvilluar në New York. Askush nuk e priste këtë.

Me përjashtim të atyre që e dinë storien e Ruizit, shkruan sot Koha Ditore.

Meksikani i parë që ka fituar titullin e botës në peshën e rëndë në boksin profesionist, është mësuar që shpesh të nënvlerësohet.

Storia e tij është përrallore.

Fillimet e hershme në veri të kufirit

Andres Ponce Ruiz Jr. është lindur në Imperial Valley të Kalifornisë, më 11 shtator të vitit 1989. Qyteti i vogël është vetëm rreth 25 kilometra në veri të kufirit Meksikë – SHBA. Ruiz dhe tri motrat e tij udhëtonin rregullisht për të parë familjen në jug të kufirit.

Në moshën shtatëvjeçare, Ruiz Jr. u dërgua në palestër nga babai i tij, me shpresë të frenohen sjelljet problematike dhe shkatërruese të të birit. Nga tendenca që kishte për të thyer gjëra është edhe nofka e tij “Shkatërruesi”. Një adhurues i bejsbollit, Ruiz, u desh të hiqte dorë nga ëndrra e tij në bejsboll për të nisur karrierën në boks.

Ishte një sfidë mjaft e vështirë për një fillestar si Ruizi, me të cilin gjithmonë talleshin për shkak të fizikut.

“Për shkak se isha fëmijë topolak, unë gjithmonë duhej të boksoja me më të mëdhenj. Isha shtatëvjeçar atëbotë dhe ndeshesha me 12-vjeçarë”, tha ai para meçit të tij të parë me Joshuan. “Nuk kishte shtatëvjeçar që kishin peshë sa unë, kështu që gjithmonë po ndeshesha me më të vjetër. Por, të kem ato përvoja dhe të merrja ato grushte më kanë ndihmuar të arrija në majë”.