Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot drejt Berlinit, ku është pritur në takim nga Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz. Pas takimit, dy liderët kanë mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për media. Gazeta Online Reporteri.net ka bërë një përmbledhje të krejt asaj çka diskutuan kryeministri kosovar e kancelari gjerman.
Pak ditë pasi u kthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku s’arriti të zhvillonte ndonjë takim fort të rëndësishëm, kryeministri Albin Kurti ka shkuar sot në Gjermani.
I pari i Qeverisë së Kosovës ka udhëtuar atje me ftesë të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz.
Pas takimit që u zhvillua në Bundestag, Scholz e Kurti u janë drejtuar gazetarëve lidhur me përmbajtjen e takimit.
Kurti përsëriti se Gjermania është vend aleat për Kosovën, derisa shtoi se të dy vendet ndajnë vlera të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe barazisë.
Tema e parë që u diskutua, ka thënë se ishte lufta në Ukrainë.
“Temë e parë ishte ajo e luftës në Europë e invazionit rus ndaj Ukrainës. Mbi bazën e kapaciteteve tona jemi solidarizuar me shtetin e Ukrainës. Kemi ofruar strehim dhe kushte për punë për 20 gazetarë të Ukrainës. Kemi ofruar mundësinë të strehojmë deri 5 mijë refugjatë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri deklaroi se kancelarin gjerman e ka njoftuar për zhvillimin e ekonomisë.
“Kancelarin e njoftova për zhvillimin e ekonomisë. Në Kosovë demokracia funksionon, opozita i fiton zgjedhjet, mediet janë të lira. Në këtë vit qeverisje kemi bërë përpjekje të mëdha për të fuqizuar sundimin e ligjit. Kemi fillua reforma në administratë dhe së fundi kemi hapur edhe Gjykatën Komerciale”, ka shtuar ndër të tjera Kurti.
E në këtë takim, Kurti ka thënë se ka kërkuar nga Gjermania që ta shtyjë përpara liberalizimin e vizave për kosovarët.
“Tash është koha të thuhet se mjaft është mjaft, Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, BE ta bëj të njëjtin. Do të aplikojmë për anëtarësim në KE”, ka shtuar Kurti.
Ai deklaroi se ia ka bërë me dije kancelarit se Kosova është proaktive dhe konstruktive në dialogun me Serbinë dhe madje ka edhe propozime se si të shkojë dialogu, për të cilat tha se janë në linjë me vlerat e Bashkimit Evropian.
“Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke, pra jo në një njohje që vjen si fund i një procesi të gjatë, por si dialog për marrëveshje me njohje reciproke në qendër. Pikëpamja e bindja jonë është që njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund”.
Si temë bisede me kancelarin gjerman, Kurti tha se ishte edhe bashkëpunimi rajonal i Kosovës, duke shtuar se këndvështrimi i Kosovës për këtë lloj bashkëpunimi nuk është zëvendësim për anëtarësim në BE, por përshpejtim.
“Ne e mbështesim plotësisht Procesin e Berlinit dhe e mirëpritëm përkushtimin e kancelarit për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re”.
Në këtë kontekst, Kurti tha se e mbështet tregun e përbashkët rajonal, por atë që ndodhët brenda Procesit të Berlinit dhe në bazë të standardeve europiane, prandaj tha se nuk mbështesin iniciativa të tjera paralele.
Në këtë konferencë, Kurti bëri thirrje për më shumë njohje të pavarësisë së Kosovës, derisa përsëriti thirrjen për pesë vendet e Bashkimit Europian që ta ndërmarrin këtë hap dhe tha se në këtë mënyrë pamundësohet krijimi i narrative të dëmshme dhe ekuivalencave false.
Për takimin me Kurtin dha detaje edhe kancelari Scholz.
Ai deklaroi se me Kurtin kanë zhvilluar një bisedë produktive, ku një temë e rëndësishme ishte lufta e Rusisë kundër Ukrainës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Kosova është një vend me histori të freskët të luftës, u pozicionua në partneritet me Bashkimin Evropian, e që ka mbështetur sanksionet dhe kjo meriton vlerësim të madh. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe të gjitha vendet e tij duhet të behën pjesë e BE, e këtu bën pjesë natyrisht Kosova”, tha kancelari gjerman.
Ai gjithashtu tha se ka inkurajuar kryeministrin Kurti për bashkëpunim konstruktiv në negociata me Serbinë.
“Objektivi i dialogut të Brukselit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy vendeve që u hap dy vendeve perspektivën e Bashkimit Evropian për stabilitetin rajonal. Unë e inkurajova Albin Kurtin për bashkëpunim konstruktiv në negociata. Në fund të fundit bëhet fjalë që nga marrëveshja të përfitojnë njerëzit e të dyjave vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz.
Nëpërmjet procesit të Berlinit, siç ka theksuar Scholz, do të arrihen 4 marrëveshje që përfshijnë lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave.
“Përparimi i mëtejshëm duhet të bëhet në liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria federale angazhohet me BE-në dhe partneret. Shumë e rëndësishme këtu është bashkëpunimi rajonal. Me procesin e Berlinit, Gjermania ka vite që angazhohet në këtë drejtim. Projekti aktual më i rëndësishëm është krijimi i tregut të përbashkët rajonal, këtu besoj se do të arrijmë të përfundojmë katër marrëveshje për lëvizjen e personave dhe njohjen e diplomave”, tha Scholz.
Ndryshe, pas takimit me Kurtin, Scholz është takuar edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Më pas, Kurti e Vuçiq pritet të takohen bashkë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Dje, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se takimet “do të shërbejnë për të mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga BE-ja”.






