Fshati Brecë i komunës së Podujevës i cili gjendet 23 kilometra në veriperëndim të qytetit është boshatisur thuajse tërësisht, shkruan Llapi.info.

Ky fshat i ndarë në dysh, në Brecën e Epërme dhe atë të Poshtme, menjëherë pas luftës numëronte 36 familje. Kurse, sot  ky fshat, i cili i përket fisit të Shalës, numëron vetëm katër prej tyre.

Madje, në Brecën e Poshtme sot kanë mbetur vetëm muralet e shtëpive të ndërtuara nga guri e lloçi,  që nga lufta e Parë Botërore.

Mungesa e kushteve elementare për jetesë sipas banorëve ka bërë që ky fshat të boshatiset.

Deri në vitin 2012 Breca nuk kishte as rrugë të asfaltuar. Blegtoria e Bujqësia ishin të vetmet fusha me të cilat banorët e këtij fshati merreshin. Kohë më parë ka ekzistuar edhe një ambulancë mirëpo, sipas banorëve ajo është mbyllur pas 3-4 vitesh funksion. Arsyet e mbylljes së saj edhe sot e kësaj dite nuk i dinë as ata vet. E për të marrë shërbime mjekësore atyre u duhet të shkojnë një fshat më lartë, në atë të Murgullës ku edhe ekziston një ambulancë e cila sipas tyre më shumë është jo funksionale.

Përveç kësaj, edhe shkolla e cila gjendet në më shumë se një kilometër larg, sipas banorëve ishte edhe njëri nga shkaqet kryesore që i ka shtyrë ata të largoheshin nga vendi i tyre.

Sot kur ky fshat numëron vetëm 4 familje rrezikon të mbetet tërësisht i boshatisur ani pse kushtet për një zhvillim janë shumë të mëdha. Tokat e pëlleshme dhe depërtimi i lumit Llap përmes këtij fshati janë favori kryesor për një bujqësi të zhvilluar.

Mirëpo, edhe një gjë e tillë njërit prej banorëve të fshatit Brecë nuk po i kryen punë. L. F. ka thënë për Llapi.info se sado që toka të jetë e pëlleshme kur nuk ka subvencione toka sërish mund të mbetet shterpë.

“Toka është e mirë pasi edhe lumin e kemi shumë afër. Ama kur nuk ka kurfar ndihme prej komune edhe na nuk po kemi ku me i marr e me investu. Pa punë pa sen skie qysh mu zhvillu për qata edhe shumica e kusherive tonë kanë ikë poshtë” ka thënë ai për Llapi.info.

Hallet e njëjta si të tij i kanë edhe banorët e tjerë të mbetur në këtë fshat. Ata shpresojnë se edhe pse kanë mbetur vetëm katër familje, të paktën do të investohet në fushën e blegtorisë e bujqësisë./Llapi.info