Nga rreth 20 mijë mësimdhënës sa janë në tërë Kosovën, vetëm 1 mijë e 500 prej tyre do të testohen nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Në takimin e fundit të mbajtur mes Ministrisë së Arsimit, asaj të Shëndetësisë e Asociacionit të Komunave ishte vendosur që para fillimit të procesit mësimor të testohen mësimdhënësit, por nuk ishte bërë i ditur numri, raporton KOHA.

Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave thotë se rezultatet e testimeve do të bëhen të ditura pasi të përfundojë testimi në të gjitha komunat.

Njëra ndër komunat që tashmë ka filluar testimit e mësimdhënësve është edhe ajo e Pejës. Drejtori i Shëndetësisë ka treguar se kanë dërguar një listë me rreth 100 mësimdhënës.

Komuna e Istogut ka përfunduar testimin e rreth 50 mësimdhënësve të disa prej shkollave në këtë komunë.

Këtë e ka konfirmuar përmes telefonit Drejtori i Shëndetësisë në Istog, i cili ka thënë se përzgjedhja ka shkuar në bazë të moshës dhe se në secilën shkollë kanë shkuar nga 10 mësimdhënës.

Derisa, Ymer Ymeri nga SBASHK-u ka thënë se ende nuk dinë se sa prej tyre kanë dalë pozitivë.

Koha ka kërkuar një qëndrim nga Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në lidhje me këtë, mirëpo ai nuk është përgjigjur.

Me arsyetimin se objektet e shkollave ende nuk janë gati për të filluar procesin mësimor, SBASHK-u kërkoi nga Ministria e Arsimit që mësimi të mos fillojë më 1 shtator, për çka edhe në fund të muajit gusht kjo ministri vendosi që të shtynte fillimin e vitit të ri shkollor për dy javë.