Neymar e ka shprehur dëshirën për të mbetur pjesë e Paris Saint-Germain dhe synimin për t’u kthyer në finale të Ligës së Kampionëve sa më shpejt që është e mundur.
PSG-ja i derdhi plot 222 milionë euro për ta sjellë Neymarin në Parc des Princes nga Barcelona verën e vitit 2017, transmeton Gazeta Express.
Braziliani u shndërrua në njërin prej futbollistëve më të mirë në botë gjatë kohës në Camp Nou, por pati vështirësi t’i përmbushë pritjet në dy sezonet e para në Francë.
Lëndimet dhe çështjet disiplinore ndikuan në paraqitjet e tij në fushë fillimisht. Ai u përpoq të kthehet në Barçë verën e kaluar, por përpjekjet e tij dhe katalonasve dështuan dhe ai mbeti në Paris.
Neymari i shënoi 19 gola në 27 ndeshje në të gjitha garat për PSG-në sezonin e kaluar, duke i dhuruar edhe 12 asiste, me cka i ndihmoi skuadrës së Thomas Tuchel t’i fitojë të gjithë titujt vendorë në Francë dhe ta arrijë finalen e Champions.
“Do të qëndroj në PSG sezonin e ardhshëm. Do të mbetem këtu me synim për ta arritur finalen e Ligës së Kampionëve përsëri, por këtë herë për ta fituar trofeun. Dua të bëj gjithçka për ta vendosur emrin tim në historinë e këtij klubi”, tha Neymar.