Ish-kryetari i Podujevës, Nexhmi Rudari, i ka komentuar zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje në Vushtrri.
Rudari thotë se nëse LDK në Vushtrri ka bërë koalicion pa lejen e qendrës, atëherë Xhafer Tahiri duhet të shkarkohet.
Por, në rast se sipas tij, ky koalicion është bërë në dijeni dhe miratim të LDK-së, atëherë kjo do t’u kushtoj të gjithë kandidatëve të LDK-së për kryetar në balotazh e më së shumti z. Rama në Prishtinë.
“Poqëse marrëveshja e LDK-së Dega në Vushtrri është bërë pa lejen e LDK-së në qendër, anulimi dhe shpallja e saj e pavlefshme, së bashku me largimin e kryetarit Tahiri do të ishte më e pakta që duhet pasuar menjëherë. Poqëse, kjo marrëveshje është bërë në dijeni dhe miratim të LDK-së, atëherë kjo do t’u kushtoj të gjithë kandidatëve të LDK-së për kryetar në balotazh e më së shumti z. Rama në Prishtinë dhe do të konsiderohej thikë pas shpine kundër tij me frikën se ai po fuqizohet më tepër së sa duhet dhe lejohet nga klanet brenda LDK-së. Ruaje Zot LDK-në nga “njerëzit” e LDK-së!”, ka shkruar Rudari.






