Është nënshkruar marrëveshja për Projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës. Kjo është arritur me ndihmën e një kredie nga Austria ku rreth 5.5 milionë eurove, pasi t’i kalojë procedurat e Kuvendit, do të jetë i gatshëm për realizim në Podujevë.

Marrëveshja e parë me Komunën e Podujevës u nënshkrua nga ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG Sabina Eder. Ndërsa, në ceremoni mori pjesë edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë Gernot Pfandler.

Ministri Hamza, ka thënë se marrëveshja është me kushte të volitshme.

“Këto kredi nuk kanë normë të interesit, vetëm tarifë për garanci zotuese. Kanë afat maturimi që të kthehen për më shumë se 11 vite”, ka thënë Hamza.

Kurse ambasadori Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, ka shtuar se marrëveshja e arritur ndikon në mjedisin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Kështu është shprehur edhe drejtoresha për Eksport në UniCredit Bank Austria AG, Sabina Eder.

“Jam e lumtur që po financojmë këtë projekt. Është e mbështetur dhe garantuar nga Qeveria e Austrisë. Qëllimi është zhvillimi ekonomik i Kosovës, herën tjetër shpresojë ta shohë Podujevën pas këtij projekti”, ka shtuar Eder.

I lumtur për këtë projekt që është financim i Qeverisë është shprehur i pari i Podujevës, Agim Veliu.

“Projekti është i hartuar i mbledh ujërat e tri luginave kryesore që derdhen lumenjtë apo kanë rrjedha. Projekti është i gatshëm dhe përfshinë të gjithë territorin e Podujevës”, ka thënë Veliu.

Po ashtu kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, në një postim në Facebook ka shkruar “Ky është një ndër projektet më të mëdha që do të realizohen në Podujevë, sepse me ndërtimin e kolektorit kryesor do të zgjidhet çështja e trajtimit të ujërave të zeza. Tash ka mbetur vetëm edhe një hap për jetësimin e kësaj marrëveshje, votimi i saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, Ministri Hamza ka paralajmëruar edhe marrëveshje tjera të cilat do të përfshijnë Komunat e Ferizajt, Istogut, Graçanicës dhe Shtimes. Kjo marrëveshje kap shifrën e 27 milionë eurove./Llapi.info