Kosova dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) kanë nënshkruar marrëveshjen, që pritet t’i sjell vendit 236 milionë dollarë investime në fushën e energjisë.

Marrëveshja është nënshkruar në Washington nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe shefja Ekzekutive e MCC-së, Alice Albright.

Krerët e Kosovës e kanë quajtur këtë marrëveshje historike.

“Marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, që është investimi më i madh energjetik i bërë në vendin tonë prej dekadash tashmë, do të ndihmojë në krijimin e fleksibilitetit dhe stabilitetit në rrjetin elektrik, duke mundësuar integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme, si dhe zhvillimin e aftësive që do të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes dhe angazhimin e grave tona në sektorin e energjisë dhe në tregun e punës”, tha Osmani.

Kosova është krenare që e ka SHBA-në në anën e saj, tha Osmani, duke shtuar se ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes veç e konfirmon marrëdhënien e veçantë të dy vendeve.

“Do të na dëgjoni teksa përsërisim vazhdimisht se SHBA-ja është aleati ynë më i fortë dhe se dy vendet dhe popujt tanë gëzojnë një lidhje unike, si dhe një partneritet që vërtetë që i ka rezistuar kohës. Kjo ceremoni konfirmon edhe një herë se çfarë ngërthen në vete kjo marrëdhënie: ngërthen në vete qëndrimin pranë njëri-tjetrin dhe të qenit aty për njëri-tjetrin në kohë të mira dhe në kohë të vështira. Sot, SHBA-ja, nëpërmjet MCC-së, e rikonfirmoi mbështetjen e saj të palëkundur për Republikën tonë të re dhe gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar të avancojmë më tej ekonomikisht dhe të zhvillohemi në mënyrë të qëndrueshme”, theksoi Osmani.

Kryeministri, Albin Kurti, e quajti po ashtu ditë historike të mërkurën. Kurti deklaroi në Kongresin amerikan se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pos për interesa të përbashkëta, janë të lidhura edhe për shkak të vlerave që posedojnë.

“Ditë historike në kuptimin e ndërtimit të një të ardhme të gjelbër dhe të pastër. MCC-ja është bërë ndër partneret më të afërta, për investimin ndër më të madh në vendin tonë. Secili cent do të shpenzohet për një program të dobishëm për vendin tonë. Kemi punuar bashkë në mënyrë për të siguruar furnizimin me energji dhe rrugën drejt burimeve të ripërtëritshme. Jemi për vlerat tona demokratike dhe kundër agresionit rus mbi Ukrainë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen në një moment të rëndësishëm për sektorin e energjisë. Për herë të parë në strategjinë tonë u shkrua rruga drejt dekarbonizimit të vendit. Po punojmë për të garantuar një furnizim energjie që është i përballueshëm për të gjithë. Nënshkrimi është festa e një pune të pashoqe të dy vendeve. Marrëveshja do t’i prezantohet Parlamentit nesër për ratifikim. Do të jetë e trishtueshme që unë dhe Rizvaniolli s’do të jemi për t’u ballafaqur me opozitën. Ekonomia ka nevojë për demokraci të lartë. Demokracia për ekonomi prosperuese. Kosova është falënderuese për MCC-në”, tha ai.

Paraprakisht gjatë ditës së mërkurë, Qeveria e Kosovës në një mbledhje online miratoi ratifikimin e marrëveshjes, ndërkohë që Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) e ka miratuar këtë në fund të qershorit.

Çfarë ofron kjo marrëveshje

Kosova pritet të forcojë pavarësinë energjetike me Programin e ri Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe në të njëjtën kohë të kursejë miliona euro në vit.

Marrëveshja në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, përqendrohet në projekte të energjisë.

Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.

MCC-ja synon që me këtë program të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon rritjen ekonomike.

Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Sipas drejtoreshës së MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, prokurimi i parë për projektet e Programit Kompakt pritet të nisë pas dy vjetësh.

Pas nënshkrimit të Programit Kompakt, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë këtë marrëveshje ndërkombëtare me dy të tretat e votave.

Por, çfarë përfitimesh konkrete do të ketë Kosova nga ky program?

Rezerva të energjisë përmes baterive

Projekti më i rëndësishëm pritet të jetë ai i ruajtjes së energjisë. Përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

Kjo nënkupton që rryma e prodhuar në kohë të caktuar, të mund të akumulohet, në mënyrë që të shfrytëzohet në orët e ditës, kur kërkesa për energji, por edhe çmimet janë më të larta.

Përmes baterive mëtohet të reduktohet nevoja për importin e energjisë, derisa çmimet e importit tashmë janë rritur.

Po ashtu, në nivel të Programit Kompakt, afër 1.8 milionë persona pritet të përfitojnë nga investimi i MCC-së. Ky vlerësim bazohet në Projektin për Ruajtjen e Energjisë, që mëton t’i mbulojë të gjitha familjet që janë të lidhura me rrjetin elektrik – zyrtarisht raportohet se janë 100 për qind e amvisërive të Kosovës.

Gjatë sezonit të dimrit, kur rritet kërkesa për energji elektrike, konsumatorët shpenzojnë deri në 1.300 megavate në ditë, ndërkaq kapaciteti i prodhimit të dy termocentraleve në Obiliq, Kosovës A dhe B, arrin deri në 800 megavate. Pjesa tjetër e kërkesës për energji mbulohet nga importi.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ka thënë se më 2021, vendi ka importuar 1.311.461 megavate rrymë.

Sipas MCC-së, Projekti i Ruajtjes së Energjisë synon që të mbështesë sigurinë energjetike, por edhe që Kosova të kalojë në energjinë e pastër.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka deklaruar më herët se Kosova do të kursejë të paktën 15 milionë euro në vit nga Programi i ri Kompakt i MCC-së.

Sipas vlerësimeve të MCC-së, norma e brendshme e kthimit të këtij projekti pritet të jetë 8.7 për qind.

Projekti për fuqizimin e grave në sektorin e energjisë

Në kuadër të Kompaktit është edhe projekti për Përshpejtimin e Drejtë të Tranzicionit (JETA) që ka dy objektiva parësore: të nxjerrë të diplomuar, të cilët mund të punësohen në sektorin e energjisë apo sektorë të ngjashëm, si dhe të rrisë numrin e grave të punësuara në sektorin e energjisë, të cilat marrin pjesë në Aktivitetin Gjithëpërfshirës të Fuqisë Punëtore në Sektorin e Energjisë.

Kjo pritet të lehtësojë tranzicionin e energjisë të udhëhequr nga Qeveria e Kosovës, duke krijuar mundësinë që gratë që fitojnë shkathtësitë e kërkuara, të ofrojnë asistencë teknike për punëdhënësit në fushën e energjisë dhe, në këtë mënyrë, të rritet edhe përfaqësimi i tyre në këtë sektor.

Sipas MCC-së, në Kosovë niveli i punësimit të grave është 14.1 për qind, që është një prej përqindjeve më të ulëta në rajon dhe botë. Ndërkaq, gratë afariste përbëjnë vetëm dhjetë për qind, krahasuar me 33 për qind të nivelit të afaristeve gra në botë dhe rajon.

Projekti i Katalizatorit për Zhvillim

Në kuadër të Programit Kompakt do të përfshihet edhe Projekti i institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim (AFDC). Ky projekt është dizajnuar që të mundësojë shfrytëzimin e fondeve nga Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së (DFC), për të mbështetur investimet private në sektorin e energjisë në Kosovë, por edhe qëllimet e MCC-së në sektorin e energjisë.

Fondet e MCC-së do të përdoren për të hequr rrezikun e investimeve të DFC-së në sektorin privat, teksa DFC-ja do të jetë përgjegjëse që t’i mbikëqyrë investimet.

Në koordinim mes MCC-së, DFC-së dhe Qeverisë së Kosovës, përmes këtij projekti synohet që, po ashtu, të identifikohen edhe investime të tjera të mundshme në Kosovë.