Nënat e Srebrenicës janë mbledhur sot në Tuzllë për të kujtuar gjenocidin e kryer ndaj boshnjakëve të Srebrenicës dhe për të kundërshtuar përpjekjet për glorifikimin e kriminelëve të luftës.
Nga Tuzlla u përcoll edhe një herë mesazhi se e vërteta për gjenocidin në Srebrenicë duhet të ruhet dhe t’u përcillet brezave të rinj.
Të pranishmet shprehën indinjatën e tyre ndaj mesazheve të mbështetjes për Ratko Mlladiqin, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi për gjenocid dhe krime të tjera të luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
“Ne të gjithë e pamë se çfarë po ndodhte dhe si u varros në Serbi. Turp për të gjithë ata që e glorifikojnë një njeri të tillë. Ne e dimë mirë kush është dhe çfarë ka bërë. Ai është kriminel i dënuar me burgim të përjetshëm”, tha Nura Begoviq, kryetare e Shoqatës “Gratë e Srebrenicës”.
Begoviq bëri thirrje që personat që glorifikojnë kriminelët e luftës dhe përhapin urrejtje të ndëshkohen.
“Ai që e glorifikon dhe flet për të duhet të dënohet. Në vend që të turpërohen për atë që është bërë, ata e promovojnë. Ne ende kërkojmë drejtësi dhe ende kërkojmë eshtrat e të dashurve tanë”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se Bosnjë e Hercegovina mund të jetë një shtet ku të gjithë mund të jetojnë së bashku, por ligjet duhet të respektohen.
“Cilido që glorifikon një kriminel lufte, promovon urrejtjen apo bën thirrje për luftë, duhet të dënohet rreptësisht”, tha Begoviq.
Në mbështetje të nënave të Srebrenicës u bashkuan edhe nxënës të Shkollës së Mesme të Mjekësisë dhe Shkollës Ekonomiko-Tregtare në Tuzllë. Pjesëmarrja e tyre u cilësua si një mesazh i rëndësishëm se edhe të rinjtë janë të vetëdijshëm për atë që ndodhi në Srebrenicë dhe për rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës historike.
Në tubim morën pjesë edhe imamë të Mexhlisit të Bashkësisë Islame në Tuzllë, si dhe qytetarë të shumtë.
Nënat e Srebrenicës kanë theksuar se lufta e tyre nuk është vetëm për drejtësi për djemtë, bashkëshortët, vëllezërit dhe familjarët e vrarë, por edhe kundër harresës, mohimit të gjenocidit dhe përpjekjeve për t’i paraqitur kriminelët e luftës si heronj.






