Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se me kryeministrin në detyrë Albin Kurti ka diskutuar për zhbllokimin e ngërçit në Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi, pas takimit tha se në takim me Kurtin i ka prezantuar qëndrimet, tashmë publike, të PDK-së rreth opsioneve për konstituimin e kuvendit.

“Pak më parë e kam përfunduar takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, me të cilin i kemi shkëmbyer idetë për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ju, qëndrimet e PDK-së edhe i dini. I kam thënë këtu para jush, ia kam thënë edhe z. Kurti përsëri. Unë i kam thënë z. Kurti që për Kosovën është e domosdoshme të konstituohet Kuvendi sa më shpejtë. Të hyhet në afatet kushtetuese për zgjedhjen e qeverisë së ardhshme. Që të ndodhë kjo, sigurisht që propozimi i takon partisë së parë”, tha ai.

“I thash z. Kurti që do të ishte mirë me mendu për kandidatë apo kandidatura të tjera. Ne nuk kemi pasur qëndrim bllokues, mohues. Nuk na takon neve me ia zgjedh kryeparlamentarin, partisë së parë. Përkundër që s’kemi marrëveshje politike, po ju themi që ejani ta votojmë një figurë që mund të jetë e pranueshme”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se Kurti nuk i dha sinjale se do të ndërrojë propozimin për kryeparlamentar.

“I thash zotëri, ndërroje kandidaten nëse do zhbllokim të Kuvendit”, tha Krasniqi, derisa shpalosi detaje nga biseda me Kurtin.

Krasniqi deklaroi se i tha Kurtit se duhesh ta ndërrojë kandidaturën për kryeparlamentare.

“Nuk jam i sigurt. Nuk më dha shenjë. Nuk më dha shenjë [se do ta ndërrojë emrin e kandidates]. Nuk më tha ‘po, po e ndërroj’. se I thash ‘duhet me ndërru’”, tha ai.

Ai tha se ky ka qenë boshti i diskutimeve me Kurtin.

Krasniqi mohoi të ketë diskutuar me Kurtin për marrëveshje politike për formimin e qeverisë.