Tri shtete të SHBA-së kanë lejuar rihapjen e disa dyqaneve, pasi në vend ende janë në fuqi masat kufizuese, që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Disa parukeri dhe qendra relaksuese janë rihapur në Xhorxhia dhe Oklahoma, ndërkaq në Alaskë janë hequr kufizimet për restorantet.

Në tri shtetet ku kanë nisur që të hiqen masat kufizuese, autoritetet kanë thënë se presin që qytetarët të vazhdojnë të mbajnë distancë fizike. Ndërkaq, disa qytete në këto tri shtete kanë vendosur që të vazhdojnë të mbajnë në fuqi masat kufizuese.

Si pasojë e vendosjes së masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit, ekonomia amerikane ka pësuar goditje. Papunësia në SHBA tashmë ka arritur në 15 për qind, apo 26 milionë amerikanë kanë mbetur të papunë dhe shumë shtete po ndihen nën presion që të rihapin ekonominë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani kanë numrin më të lartë në botë të personave që kanë vdekur nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri. Numri i të infektuarve ka arritur në mbi 890 mijë, ndërkaq, nga koronavirusi kanë humbur jetën 51 mijë amerikanë./REL