Dje rreth orës 23:30, në rrugën “1 Tetori” në Prishtinë, policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për disa vjedhje të rënda si dhe ka sekuestruar një çantë me gjësende të dyshuara (maskë, doreza, kaçavida, armë të ftohta thika etj.)

Rastet (19 raste vjedhje të rënda) për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se janë të përfshirë këta persona, kanë ndodhur në intervale të ndryshme kohore, (në markete, kopshte fëmijësh, lokale, etj.) kryesisht në zonën e rajonit të Prishtinës.

Personat e arrestuar janë: G. C, mashkull, 18 vjeç, K. A, mashkull, 18 vjeç dhe F. B, mashkull, 17 vjeç, të gjithë shtetas të Kosovës.

“Me urdhër të prokurorit, pas intervistimit nga hetuesit e stacionit policor Qendra në Prishtinë, janë dërguar në qendrën e mbajtjes, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastet në fjalë”, thotë Policia e Kosovës.

Lidhur me rastet e njëjta, hetuesit kanë arritur të identifikojnë edhe dy persona të tjerë të dyshuar që aktualisht ndodhen në arrati.