Me një manifestim të organizuar nga Drejtoria e Arsimit, Komuna e Podujevës ka shënuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, me ç’rast me mirënjohje janë nderuar veteranë të arsimit dhe mësimdhënës të dalluar, transmeton Llapi.info. 

Për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në sallën e Teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë është mbajtur një manifestim, i organizuar nga Drejtoria e Arsimit, ku përveç mësimdhënësve, ishte i pranishëm kryetari I Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja Marigona Lahu, kryesuesi i Kuvendit Hilmi Hoxha, Avni Fetahu– drejtor në Drejtorinë Arsimit dhe zyrtarë të tjerë komunalë.

Kryetari Bulliqi duke uruar mësimdhënësit për Ditën e Mësuesit, tha se “mësuesi ishte ai, i cili ndriçoi mendjen e popullit brez pas brezi, për çlirim e edukim”.

“Jemi mbledhur sot këtu, për të kremtuar 7 marsin Ditën e Mësuesit, kjo ditë për nga rëndësia dhe pesha e saj, është prej datave më të shënuara në historinë e Kosovës. Mësuesi shqiptar ishte shumë i lidhur me popullin e Kosovës, fati i tij ishte edhe fati i popullit. Ne si udhëheqje komunale do të bëjmë gjithë të mundurën që të përmirësojmë kushtet për punë dhe mësim, duke rregulluar infrastrukturën shkollore dhe duke përcjellur metodat bashkëkohore të mësimnxënies e duke i siguruar ato për shkollat në Komunën e Podujevës, me qëllim të ngritjes së cilësisë në shkollat tona.

Mësues të nderuar – Nga zemra ju uroj festën e 7 marsit dhe ju dëshiroj shumë suksese në punën tuaj fisnike.
Zoti e bekoftë Shkollën Shqipe!” përfundoi kryetari Bulliqi.

Me këtë rast kryetari Bulliqi, nënkryetarja Lahu, kryesuesi Hoxha dhe drejtori i arsimit Fetahu shpërndanë mirënjohje me të cilat Komuna ka nderuar mësimdhënësit veteranë dhe mësimdhënësit e dalluar të shkollave fillore dhe të mesme. Me mirënjohje të veçanta, post mortum, janë nderuar katër mësimdhënës që kanë ndërruar jetë në gjatë vitit të fundit. Mirënjohjet i morën familjarët e tyre./Llapi.info