Me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për mos përdorimin e mjeteve motorike dhe ruajtjen e ambientit, sot  “Llapi Cycling Group” ka organizuar një aktivitet me biçikleta i cili do të jetë i gjatë 25, 2 kilometra, raporton Llapi.info.

Anëtarja e këtij grupi, Emira Dibrani e cila merret edhe me organizimin e eventeve të tilla, ka thënë për Llapi.info se qëllimi i këtij aktiviteti është që qytetarët të fillojnë të përdorin sa më shumë biçikleta dhe ta ruajnë ambientin.

“Qëllimi si çdo herë në çdo aktivitet tjetër është vetëdijesimi i qytetarëve për  përdorimin e biçikletave dhe më pak veturave kur kanë mundësi. Arsyeja tjetër  e këtij aktiviteti është që sa më shumë të vetëdijesohemi edhe për mbrojtjen e ambientit sepse  ambienti është pika kryesore e shëndetit tonë. Kjo është njëra nga arsyet kryesore  që ne e kemi organizuar këtë aktivitet  i cili tashmë e sa vite  ka filluar të quhet si aktivitet tradicional për arsye se ne çdo fillim pranvere organizojmë një aktivitet të tillë” tha ajo.

Për ta përkrahur këtë aktivitet, pjesëmarrës ishte edhe kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, i cili i premtoi të rinjtë për përkrahjen e aktiviteteve të tilla të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë për të mirë në shëndet dhe ruajtjen e ambientit.

“Është mirë që organizohen  evente të tilla që jo përveç kënaqësisë që ju sjell garuesve si pjesëmarrës, ka edhe efekte tjera edhe për shëndetin e secilit prej jush por edhe për kujdesin ndaj ambientit dhe është mirë që ngjarje të tilla të organizohen sa më shpesh. Ky manifestim bëhet plotësisht nën organizimin vullnetar pa mbështetjen e askujt mirëpo, unë ju premtoj që gjatë viteve të ardhshme  aktivitete të tilla komuna e Podujevës do ti ndihmojë dhe sigurisht  do të ulemi pas këtij aktiviteti me organizatorët do ta diskutojmë mundësinë e mbajtjes  edhe të një gare për qytetin e  Podujevës që sigurisht do ta bëjmë tradicional”, tha Veliu.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishte edhe aktori i filmit “Shok” Andi Bajgora i cili tha se “sot vetëm kemi ardhë mu kënaq edhe me shiju Podujevën.”

Kurse, aktori tjetër Adnan Blaku përmes një batute pjesëmarrësit i uroi për një ditë sa më të mirë në këtë garë sensibilizuese.

Për të përcjellë garën të pranishëm ishin edhe Policia e Kosovës dhe Emergjenca.

Kujtojmë se kjo është hera e tretë që “Llapi Cycling Group” mban një aktivitet të tillë sensibilizues./Llapi.info