Komuna e Podujevës ende s’i ka realizuar 33 premtimet e bëra gjatë fushatës lokale. Gjatë kësaj fushate, ish-kryetari i kësaj komune, tani ministër i Punëve të Brendshme, Agim Veliu i pati bërë 33 premtime për realizimin e projekteve të ndryshme, por deri më tani janë realizuar vetëm 12 prej tyre, raporton Llapi.info.
Këto të dhëna i ka publikuar instituti për studime të avancuara, GAP. Sipas këtij instituti, gjatë fushatës zgjedhore më 2017, deri në qershor të 2020-s janë përmbushur 12 premtime, kurse 10 ende as që kanë filluar.
Ish-kryetari Veliu gjatë fushatës zgjedhore më së shumti premtime pati bërë në infrastrukturë (20), (2) premtime në shëndetësi, (3) në arsim e për shërbime publike ai kishte bërë (7) premtime.
Punët që s’kanë nisur nga Komuna që udhëhiqet nga LDK: “Ndërtimi i këndeve të lojërave për fëmijë veçmas në zonat urbane, rregullimi dhe ndriçim i hyrjeve banesore, pajisja e banesave të qytetit me ashensorë, parkingu nëntokësor në zonën qendër (Podujeva I). Përkrahje për zejtarët e qytetit, duke ju ofruar kushte me të mira pune si dhe mundësi për ekspozim të mallrave. Kënde të lojërave për fëmijë si dhe kënde rekreative-sportive në fshatin Obrançë. Vazhdimi i asfaltimit të rrugës kryesore në fshatin Bervenik deri në pjesën e skajshme. Ndërtimi i kolektorit të ujerave të zeza në fshatin Majac dhe Pollat”, janë disa nga premtimet që sipas GAP, nuk kanë nisur së realizuari.
Instituti GAP bën monitorimin e përmbushjes së premtimeve në 26 komuna, sepse disa nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore.
Përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna. Vlerësimi i premtimeve bëhet në mënyrë periodike përmes bashkëpunimit me organizatat lokale.
Ndërkohë, tashmë Podujeva pritet t’i mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës, pasi që Veliu dha dorëheqje për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike./Llapi.info