Lokale - eSIMy

Ndriçimi publik në disa fshatra të Komunës së Podujevës po vazhdon të jetë i ndezur edhe gjatë ditës, shkruan Llapi.info.

Dritat nëpër shtylla elektrike kanë qëndruar ndezur sot edhe në fshatin Peran, në këtë kohë kur vendi është duke u përballur me krizë energjetike.

Në pamjet që ka siguruar Llapi.info, shihet se pikërisht nëpër senzorë janë vendosur kapela, në mënyrë që ndriçimi publik të rrijë ndezur.

Përveç në këtë anë, siç ka mësuar Llapi.info, edhe në disa fshatra tjera të kësaj komune, ndriçimi publik po qëndron ndezur si shkak i vendosjes së batanijeve nëpër senzorë.

Për këtë problem, javë më parë Komuna e Podujevës pati paralajmëruar masa.

“Jemi të njoftuar nga qytetarët që në disa lokacione të qytetit, në senzorët e vendosur në shtyllat e ndriçimit publik, persona të pandërgjegjshëm po vendosin batanije, dhe si pasojë disa vende ndriçimi publik po qëndron i ndezur edhe gjatë ditës. Informacionin e kemi përcjellur në drejtoritë përkatëse të cilat do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e këtyre veprimeve”, thuhej në reagimin e Komunës.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar, më 29 dhjetor, vendimin e Qeverisë së Kosovës për masa emergjente në furnizimin e energjisë elektrike, si shkak i krizës./Llapi.info