Zgjedhjet e reja parlamentare, që do të ishin të katërtat me radhë në 2 vjet, mund të mbahen më 15 nëntor.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur se Kuvendi është konstituuar me vonesë dhe se nga 8 gushti, kur ka përfunduar afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit, ka nisur të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit.
Kështu, Kushtetuesja tha se ky afat “përfundon më 6 tetor 2026”. Presidenti duhet të zgjidhet deri në atë datë, në të kundërtën, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga ajo datë.
Në rast se partitë nuk merren vesh për zgjedhjen e Presidentit, zgjedhjet do të mund të mbaheshin më së largu më 15 nëntor, që është e diela e fundit brenda atij afati 45-ditor.
Me kërkesë të Kurtit, seanca konstituive e Kuvendit që nisi më 6 gusht u ndërpre dy herë radhazi. Ai nuk e propozoi kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi e konsideronte të padobishme që të zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, dhe sipas konfirmimit tash, më 8 gusht ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari – deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja – e kishtendërprerë sërish atë ditë seancën konstituive, si ditën kur ajo nisi.
Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar se seanca konstituive nuk duhej të vazhdonte pa një marrëveshje paraprake për Presidentin dhe vendosi ta konstituojë Kuvendin vetëm më 13 shtator.






