Në Gjykatën Themelore në Prizren, në seancën e së mërkurës janë administruar provat e propozuara nga prokurori, e po ashtu janë bërë propozime të reja në gjykimin ndaj S.A, i cili po akuzohet se vrau Sh.K, shkaku i një borxhi prej 20 euro.
Në seancën e së mërkurës, fillimisht mbrojtësi i të akuzuarit S.A, avokati Nazmi Mustafi propozoi që të bëhet rimarrja në pyetje e dëshmitarit A.A, djalit të pronarit të lokalit ku ka ndodhur vrasja për të kuptuar se a ka qenë i pajisur me kamera lokali i tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, kundërshtoi ekspertizën psikiatrike që është bërë ndaj S.A dhe shtoi se kjo ekspertizë nuk ka qenë e kompletuar dhe e përpunuar konform dispozitave ligjore.
Ndërsa, sikurse prokurori Metush Birah, ashtu edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Miftar Qelaj kundërshtuan propozimet e avokatit mbrojtës, me arsyetimin se nuk është kontestuese se në lokal ka pasur video-incizime dhe se ekspertiza është punuar në tërësi dhe ka qenë e kompletuar.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha refuzoi propozimin e avokatit sa i përket dëgjimit të dëshmitarit A.A.
Tutje, në gjykim janë administruar provat e propozuara nga ana e prokurorit, në mesin e tyre raporti i bastisjes me foto-album i Policisë së Kosovës, i 26 janarit 2020, raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes me nr.TK-012/2020 së bashku me foto-albumin, listën e dëshmive, zinxhirin e ruajtjes dhe skicës së vendit të ngjarjes si dhe raporti i forenzikës i 7 shkurtit 2020.
Po ashtu, në kuadër të plotësimit të provave, prokurori Miftar Qelaj propozoi edhe si provë të administrohet raporti i ekspertizës së Drejtorisë së Teknikës Kriminalistike lidhur me telefonat e tipit “Iphone”, pronë e të ndjerit Sh.K si dhe telefoni “Samsung Galaxy” i të akuzuarit S.A si dhe si provë propozoi mesazhet e nxjerra mes tyre, që kanë komunikuar përmes “Messengjerit”
Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Miftar Qelaj propozoi që si provë të administrohet raporti mjekësor për të dëmtuarën K.K, raportin mjekësor për vajzën e të ndjerit F.K dhe raporti për njoftimin nga vendi i punës ku ka punuar K.K.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit S.A, avokati Nazmi Mustafi propozoi që të administrohen mesazhet e këmbyera mes vëllait të të akuzuarit S.A, N.A dhe të ndjerit Sh.K, para se të ndodhte rasti.
Po ashtu, propozoi të administrohet si provë bishti i sëpatës, të cilin e ka pasur në dorë i ndjeri Sh.K si dhe kërkoi që të shikohet CD-ja nga ora 09:00 deri në ora 21:00.
Për shkak të kohës së pauzës dhe për shkak se njëri nga anëtarët e trupit gjykues ka një seancë të natyrës urgjente, seanca e sotme është ndërprerë dhe do të vazhdojë nesër (28 prill).
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren e ngarkon S.A se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020, në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e L.A.
Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Sh.K vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi L. e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, derisa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit L.A, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, A.K dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit Sh.K, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.
Me këto veprime, S.A akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”.
Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, dënohet me gjobë deri në shtatë mijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet.





