Policia e Kosovës njofton për gjetjen dhe konfiskimin e 26 gëzhojave në Izvor të Zveçanit, aty ku dje u zbulua një laborator i drogës.

Sipas policisë në drejtim të zyrtarëve policorë kanë shtënë persona të panjohur.

Nga të shtënat me armë zjarri nuk ka të lënduar, e as nuk njoftohet për ndonjë të arrestuar.

“Fsh. Izvor, Zveçn, 23.05.2022-13:50. Derisa njësitë policore ishin në kryerje të detyrës, të dyshuar të pa njohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtimi të zyrtarëve policor. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 26 gëzhoja të armës së zjarrit. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti nën hetime nga njësitë relevante”, thuhet në raportin e policisë.

Një aksion i Policisë së Kosovës në Izvor të Zveçanit ka rezultuar me gjetjen e një laboratori të drogës, në të cilin ndodheshin rreth 10 mijë fije marihuanë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se vlera e drogës së konfiskuar, është në vlerë rreth 6 milionë euro, derisa e pajisjeve 1.5 milion euro.

“Pas shkatërrimit të laboratorit në veri të vendit, Izvor, vlera e drogës së konfiskuar e cila tashmë po shkatërrohet ka rezultuar në vlerë 6 milonë euro ndërsa vlera e paisjeve 1.5 milionë euro”, ka shkruar Sveçla.

Detaje të tjera ka dhënë Shefi i Antidrogës në Policinë e Kosovës, Reshat Murseli.

Ai ka njoftuar se policia ka informacione lidhur me personin që dyshohet ta ketë në pronësi laboratorin në veri, dhe ai është i nacionalitetit serb.

“Sipas informacioneve që vijnë nga drejtoria rajonale e Policisë në Veri gjatë aksionit policor dhe doganës bashkërisht, në kohën paralele të njëjtë janë dëgjuar të shtëna në afërsi të lokacionit, nuk ka të lënduar, ka dyshime se lidhet me aksionin e policisë që ishte duke u zhvilluar në rajon”.

“Policia ka rritur të gjejë gjurmët e gëzhojave të armëve që janë përdorur në lokacion, nuk ka informacione shtesë për momentin por do të mbetet në faza të tjera të hetimit, të vërtetohen lidhshmëria mes rasteve që janë në progres tani”.

“Për momentin nuk ka të arrestuar. Policia ka arritur të sigurojë informacione të pronarit të asaj prone ku është kultivuar bima kanabis dhe jemi në kërkim policor. Është i nacionalitetit serb. Është i njohur tani për policinë”, është shprehur ai.