Printerët 3D janë shumë praktikë dhe të dedikuar për fusha të ndryshme, e tani kjo teknologji po përdoret për një projekt të madh.

Deri më tani kemi dëgjuar që shtëpi, baraka dhe objekte tjera janë bërë me ndihmën e printerëve 3D, por në Austin të Teksasit po ndërtohet një lagje e tërë që do të përbëhet nga 100 shtëpi, e që do të jetë lagjja më e madhe në botë që do të bëhet me këtë teknologji, transmeton Telegrafi.

Projekti ambicioz po realizohet në bashkëpunim mes Lennar Group që ndërton shtëpi nëpër SHBA që nga viti 1954 dhe ICON-it, kompani kjo që merret me teknologji të ndryshme për ndërtimtari.

ICON është i njohur me atë që me ndihmën e printerëve 3D ka ndërtuar një lagje të tërë në Teksas sikurse edhe Mars Duna Alpha, objekte të dedikuara për astronautë që i përdorin për simulimin e jetës në Mars.

Për këtë projekt, ICON përdori teknologjinë Vulcan të printimit. Për ndërtim ICON përdor materialin Lavacrete si dhe sistemin robotik të printimit që printon 254 mm për sekondë, e kjo rezulton me ndërtim të shpejtë.

Shtëpitë në një lagje të Teksasit janë ndërtuar për vetëm shtatë ditë. Në SHBA aktualisht janë në ndërtim e sipër pesë milionë shtëpi të reja, që falë teknologjisë së re mund të ndërtohen shpejtë dhe me cilësi.