Lokale - eSIMy

Fundi i javës kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani arritën marrëveshje armëpushimi dy-javore, çmimet e naftës në pikat e derivateve brenda Kosovës kanë filluar të bien.

Të premten, çmimi i një litri të karburantit dizel ka rënë në 1.86 euro krahasuar me rreth 1.89 deri në 1.91 euro të enjten.

Ndërsa Ministria e Industrisë dhe Tregtisë nuk ka publikuar ende tavanin e çmimeve për 24 orët e ardhshme, dizeli në pompat e benzinës në Kosovë të premten po tregohet për 1.86 euro për litër, raporton Paparaci.

Çmimet e naftës së papërpunuar Brent ranë nën 100 dollarë për fuçi të mërkurën pas arritjes së marrëveshjes për armëpushim dy javor mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.

Ministria e Industrisë dhe Tregtisë në Kosovës ka miratuar para rreth dy javësh rregulloren për përcaktimin e çmimeve tavan me marzhë të fitimit prej 0.12 cent për litër të karburantit dizel.

Që atëherë, MINT publikon çdo ditë çmimet e derivateve të naftës bazuar në këtë rregullore, duke marrë për bazë çmimin e importit dhe marzhën prej 12 centë për litër.

Edhe pse çmimet e naftës së papërpunuar ranë të mërkurën, analistët e tregjeve globale thanë se shoferët në stacionet e derivateve nuk do ta ndienin menjëherë rënien e çmimeve.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtatëve të Kosovës, Fadil Berjani paralajmëroi të mërkurën një rënie graduale të çmimeve të naftës edhe në tregjet vendore, por tha se rënia e çmimeve do të varet nga marrëveshje e qëndrueshme në luftën mes ShBA-ve dhe Iranit.

“Vetëm një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të sillte stabilizim të vërtetë për tregjet e naftës edhe në Kosovë”, deklaroi ai në një postim në rrjetin social Facebook të mërkurën.

Ministria e Industrisë dhe e Tregtisë nuk i ka publikuar ende çmimet e naftës për sot.