Përbrenda një jave normale, vështirë se mund të numërohet se sa herë krijojmë kontakte fizike me njerëz të tjerë. Për shumë prej atyre që janë në vetizolim, kjo mund të jetë periudha më e gjatë kohore pa kurrfarë kontakti direkt personal me persona të tjerë. Distancimi ekstrem i kohës së pandemisë megjithëkëtë besohet se nuk do të jetë një ndryshim i përhershëm. Por, derisa shtetet e shumta veç po fillojnë me heqjen e masave kufizuese, lind problemi i ballafaqimit me kthimin në realitet. Dhe natyrshëm shfaqet dilema sesi do të jetë ndërveprimi midis njerëzve, në mënyrë që të garantohet sigurt por as mos të ofendohen të tjerët?

Për muaj të tërë, njerëzit kanë praktikuar distancimin fizik, duke iu përmbajtur masës së mbajtjes së distancës prej të paktën dy metrash prej njëri-tjetrit. Kjo me qëllim të shmangies së prekjes me të tjerët aty ku rrinë grupe të shumta njerëzish dhe evitimit të kontaktit të drejtpërdrejtë me personat që kolliten apo teshtijnë.

Adoptimi në kushte të ndryshme prej atyre që kanë qenë praktikë e përhershme jetese ka qenë i vështirë, ngase është dashur që distancimi të mbahet, por me mirësjellje dhe me afërsi emocionale. Në shumë kultura, shtrëngimi i duarve është mënyrë e përshëndetjes me njerëzit, përqafimi ai i shprehjes së emocioneve për njerëzit që i duam.

Realiteti i “paprecedentë” i distancimit

Derisa pjesa më e madhe e botës tani po përgatitet për të dalë nga izolimi, shumë prej shprehive të ngulitura thellë në mendjet e njerëzve do të mbesin ende të ndaluara.

Puthja në faqe e llojit të preferuar francez mund të jetë vektor i transmetimit, përqafimi i ngrohtë i italianëve mund të jetë shumë i rrezikshëm. Sjelljet, me të cilat shprehet afërsia emocionale përmes prekjes, kanë gjasa që të mbesin të papranueshme e bashkë me këtë edhe çdo gjë tjetër që kemi mësuar mbi kontaktet fizike mund të ndryshojnë…