Kur Liverpooli njoftoi para një viti se Philippe Coutinho do të shitet te Barcelona, tifozët e ekipit nga Premier League u zhytën në dëshpërim të thellë.

Braziliani me fanellën e Liverpoolit pati paraqitje fantastike dhe vlerësohej si shkëndijzë që bëri Liverpoolin të shkëlqejë, transmeton Koha Ditore.

Ekipi i Juergen Kloppit, megjithatë, arriti disi të përshtatet me jetën pa Coutinhon edhe pse pati ende të tillë që insistonin se me brazilianin në formacion, Liverpooli do të ishte i pandalshëm.

Por këto dilema zgjatën deri para fillimit të këtij edicioni kur Liverpooli njoftoi se ka transferuar Xherdan Shaqirin për 18 milionë euro nga Stoke City, ka shkruar të mërkurën “Liverpool Echo”.

Shaqiri arriti t’i bindë të gjithë se ishte përforcimi i duhur për këtë edicion, falë shumë paraqitjeve fantastike. Ai deri më tani është treguar shumë i rëndësishëm për ekipin dhe pritet që të jetë i tillë deri në fund të këtij edicioni.

Shaqiri 27-vjeçar, ka 19 paraqitje në të gjitha garat dhe ka shënuar gjashtë gola e ka asistuar tre herë.