Lokale - eSIMy

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur shkelje ligjore në ndërtimin e sheshit në Podujevë, pasi pagesa e avansit është bërë në kundërshtim me ligjin e buxhetit, raporton Llapi.info.

Sipas ZKA-së, Komuna e Podujevës ka paguar si paradhënie duke bërë tejkalim të limitit ligjor në vlerë prej mbi 70 mijë eurosh.

Sipas nenit 13.5 të Ligji nr. 06/l -133 mbi ndarjet buxhetore, paradhënia është e kufizuar deri në pesë përqind (5%) të vlerës së kontratës në muajin dhjetor të vitit 2019.

“Me datë 10.12.2019, komuna kishte paguar si paradhënie 184,310€ për ndërtimin e bulevardit. Komuna kishte tejkaluar limitin ligjor duke paguar 8.12% të vlerës së kontratës. Vlera e tejkalimit ishte 70,818€. Sipas zyrtarëve komunal kjo ka ndodhur për shkak të konfuzionit të tyre në lidhje me kohën e nënshkrimit të kontratës dhe kohën e ekzekutimit të pagesës”, thuhet në raportin  e ZKA-së.

Kjo ndikon që pagesat përtej limiteve të lejuara nga Thesari kanë ndikim të drejtpërdrejt në disbalancimin e parave të gatshme në dispozicion për përdorim nga ana e organizatave buxhetore. Pagesat e tilla mund t’u sjellin komplikime ne realizimin e projekteve organizatave tjera buxhetore si shkak i mungesës se parave të gatshme.

“Kryetari të sigurohet që çdo herë që paguhen avanse të respektohen kufizimet ligjore të përcaktuara me ligjin e buxhetit”, thuhet në rekomandimin ZKA-së për kryetarin e Komunës.

Duhet theksuar se Auditori i Përgjithshëm ka evidentuar shkelje në tenderët e Komunës së Podujevës me ofertat nga operatorët ekonomikë.

Sipas ZKA-së, Komuna e Podujevës ka nënshkruar me operatorë më të shtrenjtë në tenderë, përkundër që në të njëjtat ka pasur operatorë më të lirë.

Për këtë, Zyra e Auditorit ka konstatuar se kjo përbën shkelje ligjore, derisa ndikon edhe në buxhetin komunal.

Kësisoj, Komuna e Podujevës ka nënshkruar në vetëm një tender kontratë për më shumë 75 mijë euro më të shtrenjtë, për ndërtimin e trotuareve në disa fshatra./Llapi.info