Është mbajtur mbledhje komemorative në nderim të figurës së Gazmend Islamit.
Në këtë mbledhje prezentë ishin kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe shumë figura tjera.
Fjalimi i plotë i Bulliqit:
Në nderim të jetës dhe veprës së anëtarit të Kuvendit Komunal të Podujevës, Gazmend Islamit, sot në mbledhjen komemorative mbajta këtë fjalim rasti:
E nderuara familje Islami,
I nderuar Kryetar z.Glauk Konjufca,
I nderuar Kryesues z.Ilmi Hoxha
E nderuara nënkryetare e Komunës znj.Marigona Lahu
Të nderuar drejtorë të drejtorive,
Të nderuar anëtarë të Kuvendit,
Të nderuar mysafirë,
Të nderuar qytetarë zonja dhe zotërinj,
Sot jemi mbledhur në Kuvendin e Komunës së Podujevës, në këtë mbledhje komemorative, në një moment të dhimbjes e pikëllimit për të gjithë ne, jemi tubuar këtu për të nderuar kolegun tonë, asamblistin Gazmend Islami, i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, duke na lënë të gjithëve një boshllëk të madh.
Gazi si person ishte shumë i veçantë, ishte shumë i drejtpërdrejtë e shumë i vendosur në kauzat që ai besonte. Gjatë gjithë jetës së tij ishte veprimtar i çështjes kombëtare, ai u angazhua pa kursyer asgjë për idealin e bashkimit kombëtar. Me përkushtim, vendosmëri dhe guxim, ai punoi gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe në mbrojtje të vlerave që e kanë mbajtur gjallë kauzën tonë kombëtare.
Gazi ishte person bashkëpunues, gjithmonë i gatshëm për të dëgjuar dhe për të kontribuar aty ku kishte nevojë atdheu e shoqëria për të. Gazi u rrit në një familje patriotike, dy vëllezërit e tij, Bushi dhe Avniu janë shembulli më i mirë se si gjithmonë në çdo kohë e rrethanë janë të gatshëm të kontribojnë për kombin e atdheun tonë.
Sot, duke e kujtuar Gazin ne e ndjejmë dhimbjen e humbjes së tij, por njëkohësisht jemi krenarë që e patëm në mesin tonë. Puna dhe vepra që la pas vetës do të mbetet udhërrëfyes për ne, dashuria për vendin, përkushtimi ndaj kombit dhe ndershmëria në shërbim të interesit publik janë virtytet e tij që do të jetojnë gjithmonë mes nesh.
Në emër të Komunës së Podujevës dhe qytetarëve të saj shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Islami, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën të ndjerin. Gazmendi do të na mungojë fizikisht, por kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë pjesë e këtij institucioni dhe e kujtesës sonë të përbashkët.
Lavdi jetës së Gazmend Islamit!
Respekt e mirënjohje pafund veprimtarisë së tij patriotike!