Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, sot ka vizituar punimet në ndërtimin e disa urave në fshatrat e Komunës së Podujevës, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.
Drejtoria e Shërbimeve Publike edhe sivjet po vazhdon me ndërtimin e infrastrukturës rrugore, e në këtë kuadër, edhe ndërtimin e urave në lokalitete të ndryshme.
Për të përcjellë nga afër punimet nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari , bashkë me drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, kanë vizituar sot disa fshatra ku janë duke u zhvilluar punimet në ndërtimin e urave.
Nënkryetari Rudari i vlerësoi shumë të rëndësishme projektet për ndërtimin e urave, për të cilat tha se do të mundësojë qarkullim më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët tanë.
Ura janë duke u ndërtuar në këto fshatra: Livadicë, Siboc (lagjja Llumnica), Llapashticë e Epërme (lagjja Cakaj), 2 ura në Shtedim (njëra në lagjen Sogojeva, tjetra në lagjen Maloku), Batllavë (lagjja Nesushta) dhe në Zhiti (lagjja Durmishi)./Llapi.info






