Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka marrë vendim që t’i ndalojë të gjitha produktet në treg që nuk i referohen Kosovës si shtet.

Kjo urdhëresë erdhi pasi Inspektoriati i Tregut ka hasur në disa mallra që importohen në Kosovë me mbishkrimin “Kosovë/o dhe Metohi”, “Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezuluta 1244”.

Shala ka lëshuar urdhëresë që ndalon shitjen e këtyre produkteve nëpër pikat shitëse dhe hyrjen e tyre në Kosovë.

“Pas vërtetimit të kësaj gjendje ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka lëshuar një urdhëresë për Inspektoratin e Tregut ku ka kërkuar nga ta që të kërkojnë nga operatorët ekonomik që menjëherë t’i largojnë nga tregu produktet me etiketim “Kosovë/o dhe Metohi”, “Kosovë/o UNMIK” apo “Kosovo/a Rezuluta 1244”, apo çdo emërtim tjetër në kundërshtim me emërtimin zyrtar të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e MTI-së.

Po ashtu ministri Shala ka kërkuar edhe nga Dogana e Kosovës që të mos lejohet hyrja në Kosovë e produkteve të cilat përmbajnë etiketa me emërtime të tilla.