Janë dëmtuar shenjat sinjalizuese që ndalonin peshkimin dhe notin në disa pjesë të Liqenit të Batllavës, shkruan Llapi.info.
Kështu ka bërë të ditur nga Ujësjellësi Rajonal Prishtina në një postim në Facebook, duke shtuar se vendimi për ndalimin e këtyre aktiviteteve është marrë në bazë të urdhëresës nga Qeveria e Kosovës.
“Konform udhëzimit administrativ për zonat e mbrojtura sanitare dhe vendimeve të Qeverisë për zonat e mbrojtura ujore, KRU “Prishtina” sh.a., ka vendosur shenjat sinjalizuese në brigjet e liqenit të Batllavës dhe Badovcit, përreth pasqyrës ujore, me qëllim të njoftimit dhe ndalimit e veprimtarive që ndalohen me këtë UA, përderisa këto liqene kanë destinim kryesorë ujin e pijes për trajtim dhe furnizim të banorëve me ujë. Përkundër kësaj, banorë të papërgjegjshëm të fshatit Orllan i dëmtuan ato duke kundërshtuar veprimet e ndërmarra për ruajtjen dhe mbrojtjen e liqeneve akumuluese. Rasti është paraqitur në Policinë e Kosovës”, thuhet në reagimin e KRU-së, Prishtina.
Por, me këtë vendim dhe cilësimin e KRU-së Prishtina si “banorë të papërgjegjshëm” janë ndarë të pakënaqur banorët e fshatit Orllan.
Rexhep Zeka, banor i këtij fshati, njëherësh edhe kryetar i organizatës “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, ka kërkuar nga KRU Prishtina të kërkojë falje publike për termin e lartëcekur./Llapi.info
Reagimi i tij i plotë:
Si banorë i Orllanit ndihem i ofenduar nga etiketimi tendencioz i KRU Prishtina.
Si banor i këtij fashati, mund të shpreh mendimin tim se nuk pajtohem me ndalesën e sportit të peshkimit dhe notit në Liqen. Këtë mendim mund të e kenë edhe shumë e shumë qytetarë të tjer. Ne mund të kemi këtë mendim, por veprimet e dëmtimit të tabelave sinjalizuese të vendosura nga KRU” Prishtina”, për ne janë të pa pranueshme dhe ne e denojmë këtë veprim.
Për ne si banor të fshatit Orllan është tendencioz etiketimi i banorëve të fshatit, që i është bërë në një postim në profilin e KRU” Prishtina”. Të thuhet se se “…banorë të papërgjegjshëm të fshatit Orllan i dëmtuan…”, për deri sa nuk ka informacion/konfirmim nga organet kompetente se kush është autor i kësaj vepre, konsideroj se KRU” Prishtina” ka paragjykuar. Ndoshta duke dashur të përgjithsoj banorët si arrogant dhe të papërgjegjshëm.
Janë po këta banorë të Orllanit që të gjithë me dhjetra herë e kanë pastruar pjesen përrethë Liqenit dhe po ashtu shtratin e Liqenit.
Janë po kta banorë që nga viti 2011 kanë dërguar kërkesa që ujrat e zeza të largohen nga Liqeni.
Janë po këta banorë që ende nuk e kanë të siguruar ujin e pijës.
Nga KRU Prishtina më e pakta që mund të presim është që ashtu siç na ka etiketuar puplikisht, të i kerkoj falje publikishtë banorëve të Orllanit






