Burrat e familjes Kelmendi nga Fushë Kosova do të kenë përballje të vështirë me ligjin, pas sulmit që bënë ndaj policëve të Kosovës të të martën.
Shaban, Fatmir, Granit, Ardit dhe Blend Kelmendi me vendim të prokurorit Armen Hamiti janë ndalur për 48 orë për veprën “Vrasje e mbetur në tentativë në bashkëkryerje”.
Ata gjatë ditës së djeshme me mjete të forta kanë sulmuar dy policët me inicialet N.G dhe E.R të cilët i kanë rrahur me mjete të forta, shufra metalike, shkruan Reporteri.net.
Burime të Reporteri.net tregojnë në detaje si ka ndodhur ngjarja në Fushë Kosovë, ku në vetmbrojtje njëri prej policëve është detyruar që të përdorë armën për ta zmbrapsur një goditje të rrezikshme.
“Më datën 3 nëntor në rrugën e Pejës, Fushë Kosovë saktësisht afër qebaptores ‘Graniti’ derisa patrolla policore në përbërje prej zyrtarëve N.G dhe E.R ishin duke bërë rregullimin e trafikut dhe i kishin shqiptuar gjobën një kundërvajtësi. klient i qebaptores. Të dyshuarit Fatmir, Granit, Ardit dhe Shaban Kelmendi duke vepruar si bashkëkryerës kanë sulmuar me mjete të forta (shipka të metalit) dy zyrtarë policor duke ju shkaktuar lëndime trupore në pjesë të ndryshme të trupit sidomos në këmbë.
Me këtë rast zyrtari policor për të zmbrapsur sulmin me mjet të rrezikshëm është detyruar të përdorë armën e zjarrit duke shtëne në drejtim të sulmuesve 1 ose 2 herë për të zmbrapsur sulmin me mjet të rrezikshëm ndaj tij dhe kolegut tij. Me këtë rast rast lëndime kanë pësuar edhe të dyshuarit Granit, Fatmir dhe Ardit Kelmendi”, ka treguar ky burim i Reporteri.net në Policinë e Kosovës.
Të gjithë personave të lënduar u është dhënë ndihma mjekësore në QKUK me sigurim të Policisë.
Reporteri.net mëson se personat e dyshuar Shaban, Fatmir, Granit, Ardit dhe Blend Kelmendi me vendim të prokurorit të shtetit Armend Hamiti ndalen në Ndalim policor për 48 orë për veprën ‘Vrasje e mbetur në tentativë në bashkëkryerje’ pasi të njëjtit në bashkëkryerje kanë sulmuar viktimat dy zyrtarët policor me mjete të rrezikshme.
Ndërsa Shpëtim dhe Gramos Kelmendi janë liruar në procedurë të rregullt për mospërfillje të urdhrave të ligjshme.
Pas kësaj diku rreth orës 20:00 , Policia pas ka kryer një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit Fatmir Kelmendi ku kanë gjetur një pistoletë dhe 8 fishekë të armës A47, 7.62 mm pa leje.