Lokale - eSIMy

13 të vdekur dhe 158 raste të reja me Coronavirus është bilanci 24 orësh i publikuar nga IKSHPK.

Këto shifra kanë dalë nga 471 mostra sa janë testuar gjithsej. Kreu i IKSHPK-së, Naser Ramadani në konferencën për media ku u njoftua për numrin e rasteve, tha se situata epidemiologjike në Kosovë po shkon drejt përmirësimit, shkruan Reporteri.

Ramadani tha se ditëve të fundit është ulur numri i rasteve pozitive dhe është rritur numri i të shëruarve.

“Situata epidemiologjike po vazhdon të ketë trendin e uljes së rasteve. Akoma kemi shumë punë për të bërë që ta ulim këtë trend dhe qëllimi përfundimtar është ta zhdukim virusin nga këto treva dhe ta ulim numrit e rasteve në zero. Po e shihni se kemi rënie të numrit të rasteve por që akoma ka punë për të bërë, në mbajtjen e maskës dhe ruajtjen e distancës. Me këtë po e shihni se rezultatet janë të prekshme dhe të dukshme duke u ulur gjithnjë e më shumë rastet pozitive, duke ulur rastet aktive dhe duke rritur numrin e të shëruarve”, u shpreh Ramadani.

Mirëpo, kreu i IKSHPK-së nuk përmendi fare numrin e të vdekurve i cili po vazhdon të jetë alarmant.

13 persona vdiqën nga Covid-19 në 24 orët e fundit, gjersa gjatë ditës së djeshme ky numër ishte 9, ndërkohë që edhe para dy ditësh numri i të vdekurve ishte mjaft i lartë, me gjithsej 6 të vdekur.

Numri total i personave që kanë humbur jetën si pasojë e pandemisë Covid-19 në Kosovë është 438.

Numri i rasteve aktive në vend aktualisht është 3.639.