Nënkryetarja e Kuvendit, njëherit edhe anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Arbërie Nagavci në një intervistë për “Përballje ditore” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se Qeveria Hoti është qeveri në shërbim të presidentit Hashim Thaçi.

Nagavci theksoi se kjo qeveri është krijuar nga presidenti Thaçi në mënyrën më vulgare dhe që t’i shërbej interesave të tij.

“Kjo qeveri u formua pas dëshmimit edhe njëherë të institucionalizimit të skajshëm dhe ndërhyrjes në Gjykatën Kushtetuese e cila kishte një vendim në favor të presidentit e pamë që kësaj qeverie iu deshtë edhe ndërhyrja direkt e presidentit i cili shkoi në ora 01:00 të natës në shtëpinë e një deputeti që t’i siguronte votat për një qeveri të cilën ai e kishte të nevojshme në këtë fazë”, tha Nagavci.

Anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Arbërie Nagavci, gjatë intervistës në emisionin ‘Përballje ditore’ në Telegrafi.com
Ajo theksoi se presidenti Thaçi nuk ka kredibilitet që të japë këshilla, duke komentuar kështu deklaratën e presidentit lidhur me shkuarjen e tij në shtëpinë e deputetit të Nismas, Haxhi Shala ku ky i fundit pastaj kishte vendosur që të votonte pro formimit të Qeverisë Hoti.

“Nuk di a ka dikush që beson në kredibilitetin dhe kompetencat e z.Thaçi që të japë këshilla. Andaj angazhimi jonë do të jetë që të pengojmë realizimin e projekteve të tij të cilat nuk e kanë prioritet Republikën e Kosovës por janë për interesa të tij personale dhe grupet klanore e biznes ore me të cilat ai i ka kapur institucionet. Ai ka krijuar një qeveri, e cila i dëgjon këshillat e tij dhe është në shërbim të tij”, tha Nagavci.

Anëtarja e kryesisë së LVV-së pati edhe një përgjigje për të gjithë ata që thanë se Qeveria Kurti nuk kishte guxim për të çuar përpara proceset e rëndësishme për vendin.

“Qeveria Kurti jo vetëm që është e guximshme por ajo ka qenë e përkushtuar që të punoj për interesin e vendit. Të gjitha këto parti që po pretendojnë qe qeverisja jonë ishte e paguximshme u desh që të bëhen të gjitha bashkë që të kenë një qeveri e cila tash është në shërbim të presidentit. Është qeveri e krijuar nga presidenti në mënyrën më vulgare”, tha Nagavci.

Nagavci në këtë intervistë ka folur edhe për manifestimin e sotëm të LVV-së i cili do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në ora 17:00.