Lokale - eSIMy

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arbërie Nagavci, ka thënë se vendimi përfundimtar për nisjen e procesit mësimor me prezencë fizike do të merret në mbledhjen e radhës të qeverisë.

Nagavci tha se duhet të vazhdohet me të njëjtat masa deri në përmirësimin e situatës.

E para e MASHT theksoi se do të respektohen rekomandimet e profesionistëve

“Megjithatë, në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, u njoftova se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave. Natyrisht se ne do të respektojmë rekomandimet e profesionistëve shëndetësor dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e radhës së Qeverisë”.

Arbërie Nagavci theksoi se synimi është që sa më shpejtë të hapen shkollat dhe mësimit të realizohet me prezencë fizike.

“Po ashtu, janë shpërndarë tekstet shkollore si dhe janë përgatitur shkollat për fillimin e procesit mësimor. Siç e kemi thënë edhe më herët, synimi ynë është që institucionet shkollore të hapen sa më parë dhe mësimi të realizohet me prezencë fizike”.

Ajo bëri thirrje të respektohen masat anti-COVID derisa shtoi se përveç punëtorëve arsimorë duhet të vaksinohet edhe prindërit sepse ashtu mbrohet më mirë shëndeti i fëmijëve.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se varianti Delta po shpërndahet shumë më shpejt sesa versionet e mëhershme dhe po transmetohet e po prek edhe moshat e hershme, andaj duhet të respektojmë në përpikëri të gjitha rekomandimet e masat dhe të sigurohemi se rikthimi i fëmijëve në shkolla të jetë i sigurte”.

“Si ministre e Arsimit përgëzoj të gjithë mësimdhënësit dhe stafin tjetër të shkollave, që janë vaksinuar tashmë dhe u bëj thirrje për vaksinim jo vetëm atyre punëtorëve të arsimit të cilët deri tash nuk janë vaksinuar, por edhe prindërve, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sepse vetëm kështu ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve”.