Shoqata e Naftëtarëve kundërshton vendimin e AKK-së për gjobitjen e 14 kompanive të derivateve
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka kundërshtuar vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që të ndëshkojë 14 kompani të derivateve të naftës.
Përmes një komunikate për media kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, ka mohuar se ka pasur marrëveshje për çmimin e naftës në mes të operatorëve të këtij sektori.
Ai tutje vendimin për gjoba e ka quajtur arbitrar.
“Shoqata e Naftarëve e dënon fuqishëm vendimin e AKK për shqiptimin e masave ndëshkuese administrative ndaj 14 kompanive të derivateve të naftës, duke e cilësuar si vendim arbitrar. Shoqata, fuqishëm deklaron se nuk ka pasur asnjëherë marrëveshje për çmimin e naftës në mes të operatorëve të këtij sektori dhe se marrja e këtij vendimi është e bazuar kryesisht në insinuata”, thuhet në njoftim.
Autoriteti Kosovar i konkurrencës përmes një konference për media ka bërë të ditur se ka vendosur masë ndëshkuese prej mbi katër milionë euro për disa kompani të derivateve për shkak të çmimit të naftës.
Ndaj këtyre kompanive, i pari i AKK-së, Valon Presreshi, ka thënë se hetimi ka filluar në nëntor të 2019-ës.
Sipas tij, hetimi është zhvilluar në bazë të konstatimit se mos kemi të bëjmë me ndonjë sjellje antikonkurrese të operatorëve të cilët operojnë në tregun e derivateve të naftës apo mos ka ndodhur ndonjë abuzim me pozitën dominuese ose mos është arritur ndonjë marrëveshje e ndaluar me ligjet që e rregullojnë.
Ai tutje ka thënë se ka urdhëruar ndërmarrjet në procedurë që ta ndalojnë çdo veprim të mëtutjeshëm i cili ka të bëjë me përcaktimin e çmimeve në mënyrë të bashkërenduar i cili shkon ne dëm të konsumatorëve.
Berjani ka thënë për KOHËN se lidhur me formën e kundërshtimit të këtij vendimi do të vendoset javën e ardhshme në një Kuvend të naftëtarëve.
Sipas tij, në këtë kuvend do të vendoset nëse do të protestohet apo do të ndërmerren veprime tjera.
Berjani tutje ka shtuar se janë të padrejta vendimet për dënime milionëshe për kompanitë që operojnë në vend.






