Lokale - eSIMy

Një incident i pazakontë ka ndodhur të mërkurën në mesditë në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, ku është raportuar një konflikt fizik e verbal mes një zyrtari policor jashtë detyrës dhe një infermiereje.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se më 18 qershor 2025, rreth orës 14:00, ka ndodhur një mosmarrëveshje e ashpër mes zyrtarit policor B.H. dhe infermieres B. R., në kohën kur polici ishte në repart për të vizituar nënën e tij të shtrirë për trajtim mjekësor.

Sipas deklaratës së tij, ai kishte kërkuar nga infermierja që t’ia ndërronte infuzionin nënës, por ajo kishte reaguar me tone të ashpra, duke e fyer dhe refuzuar me fjalët:

“Na keni lodh, kush je ti? Ça ma nin që je polic? T’kofsh ti polic, unë jam infermiere” – duke e shtyrë zyrtarin të paraqesë ankesë te kryeinfermierja.

Pak çaste më vonë, pasi gjendja e nënës së tij ishte përkeqësuar, ai ishte kthyer për të kërkuar ndihmë nga mjekët, por pretendon se është penguar fizikisht nga infermierja, e cila sipas tij e kishte kapur nga krahu dhe e kishte shtyrë jashtë repartit, duke i thënë:

“Hajde jashtë, se e sheh kush jam unë”.

Zyrtari ka pranuar trajtim mjekësor për gërvishtje në dorën e djathtë, ndërsa infermierja është marrë në pyetje dhe ka mohuar çdo kontakt fizik me të.

Lidhur me rastin, janë informuar hetuesit e njësisë së stacionit dhe ata të rajonit, ndërsa Prokurorja kujdestare ka urdhëruar që rasti të iniciohet si ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe të procedohet në mënyrë të rregullt.