Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka uruar qytetarët për Vitin e Ri 2021, dhe ka kërkuar ka elektorati i tij që të dalin në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Për dallim nga vitet e tjera, këtë vit politikanët kosovarë po e shfrytëzojnë mundësinë që bashkë me urimet për Vitin e Ri, të kërkojnë nga elektorati i tyre që të dalin në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në vitin 2021.
Një gjë të tillë e ka bërë i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.
Duke uruar qytetarët për festën e Vitit të Ri, Musstafa ka shfrytëzuar rastin që t’i bëj thirrje elektoratit të LDK-së që të jetë i bashkuar dhe të dalin fuqishëm në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Mesazhi i plotë i Mustafës, pa ndërhyrje:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Më lejoni që në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, t’iu uroj festën e Vitit të Ri 2021.
Viti që po e lëmë pas ishte një vit i rëndë për të gjithë ne, kohë krize e pandemisë globale Covid-19 e cila kaploi edhe Kosovën. Ky vit që po përfundon sonte, është periudha më e vështirë sociale, ekonomike e psikologjike për shtetin dhe qytetarët tonë, ngase pandemia bëri që vendi të izolohej dhe shumë njerëz të mbesin pa punë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, nën qeverisjen e saj nga qershori, është zotuar dhe ka qëndruar afër qytetarëve dhe bizneseve të prekura nga ndikimi i koronavirusit, duke iu ndihmuar me Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike.
Si kryetar i LDK-së, do të mbes i përkushtuar që në vitin 2021, të jemi të bashkuar dhe unik, ngase vetëm kështu jemi më të fortë përballe sfidave që na presin.
Qytetarë të nderuar, viti 2021 do të jetë shumë sfidues, zgjedhjet që po vijnë duhet të na gjejnë të përkushtuar si elektorat i LDK-së në mënyrë që të dalim sa më të fuqishëm në këtë proces zgjedhor.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë përherë e angazhuar për të mirën e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, pavarësisht pozicionit politik si pozitë apo si opozitë, misioni ynë historik është i qartë, zhvillimi dhe konsolidimi i vendit tonë.
Më dëshirën që viti 2021 të sjell dashuri, shëndet e harmoni në familjet tuaja, urime për shumë mote.
Gëzuar 2021!.